Shiko, atje lart ka një thesar!

Kuriozitete August 09, 2017 - 14:34

Eksplorimi nga njeriu i hapësirës jashtë Tokës mund të kthehet të jetë “kufiri i ri”. Për të krijuar pasuri të reja. Kjo është teza që Giovanni Bignami, president i Insitutit Kombëtar të Astrofizikës (INAF), propozon, së bashku me Andrea Sommariva-n, ekonomist, anëtar i Akademisë Ndërkombëtare të Astronautikës (IAA), në librin e tyre “Flori nga asteroidët dhe asparagë nga Marsi”. Është një tezë stimuluese, pasi eksplorimi i hapësirës nga njeriu, ka gjithmonë një lidhje të karstike, por të fortë me filozofinë (duke përfshirë filozofinë politike), por është edhe më e dukshme lidhja me ekonominë. Jo vetëm sepse të ardhurat nga hapësira janë afro 177 miliardë dollarë, ose sa 0.25 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto Botëror. Por, mbi të gjitha sepse ka qenë timoni i ekonomisë së dijes, dhe mbetet ende një nga shtyllat e saj.

Që hapësira kozmike është një kufi “natyror”, dhe madje shpëtimtare për njeriun – ose të paktën për imagjinatën e tij – këtë na e tregon poezia e madhe. A nuk përshkruan Dante, tek “Parajsa” eksplorimin e tij personal të sistemit diellor, me fazën e parë, Hënën? Dhe a nuk dërgon Ariosti, ndoshta, Astolfin mbi Hënë për të rifituar gjirin e humbur nga Orlando (dhe nga i gjithë njerëzimi)? Dhe, nga Giambattista Manso deri tek Thomas Segeth, a nuk janë të parët poetët, që krahasojnë zbulimin e “botëve të reja” nga ana e Galileo Galileit?

Në vargjet e Dantes si ato të Ariostit, të Mansos si të Segethit, fshihet një filozofi e vërtetë e kozmosit dhe e njeriut në kozmos. Dhe është pikërisht për shkak të kësaj filozofie, që pas “shuplakës së Sputnikut” dhe pas fluturimit të Jurij Alekseevic Gagarinit, John Kennedy ka treguar “kufirin e ri” në eksplorimin njerëzor të Hënës, si etapë e parë e ekplorimit njerëzor të sistemit diellor. A nuk është ndoshta filozofi politike e aplikuar realizimi i asaj “shtëpie të përbashkët të hapësirës”, Stacioni hapësinor ndërkombëtar, që detyron rusët e amerikanët të qëndrojnë domosdoshmërisht bashkë, edhe në këtë periudhë ftohjeje?

Por hapësira ka një funksion të rëndësishëm ekonomik: madje të tërheqë të gjithë ekonominë e dijes, që sot është një pjesë e madhe e ekonomisë botërore. Kjo ekonomi themelohet mbi risitë teknologjike në vazhdim, është bijë e kërkimit shkencor. I pari që i teorizoi bazat dhe e vuri në zbatim konkretisht këtë filozofi ekonomike, ka qënë këshillëtari shkencor i Franklin Roosevelt-it, i cili në fundin e 1945-ës, ndërkohë që lufta sapo kishte mbaruar në Europë, por akoma vazhdonte në Paqësor, i prezantoi presidentit të ri, Harry Truman-it, një raport – “Shkenca, kufiri pa fund” – i destinuar të bëhej baza jo vetëm e politikës së ardhshme të kërkimit shkencor, por mbi të gjitha e politikës së ardhshme ekonomike, me të cilën Shtetet e Bashkuara do të kishin siguruar udhëheqjen e rendit të ri botëror.

Arsyetimi i Vanevvar Bushit mund të sintetizohet në pak fjali: 1) kufiri i ri ekonomik është shkalla e lartë e njohurive të shtuara dhe bazohet mbi risitë teknologjike; 2) shkenca bazë, ajo që nuk ka objektiva konkrete të menjëhershme, është motorri i parë i risisë; 3) shteti duhet të financojë shkencën bazë, përveçse shkencën e aplikuar, për të ushqyer të gjithë proçesin e risive teknologjike.

Receta e Vannevar Bushit është më shumë se kurrë aktuale. Vetëm se mungonte njëra pjesë. Nuk ka asnjë kalim linear efiçent të “transferimit të dijeve”, nga laboratorët shkencorë tek zinxhirët e montimit të industrive. Që të lindë një industri e dijes, ka nevojë për një kalim të mëtejshëm: Shteti nuk duhet vetëm të investojë në kërkime, por duhet të nxisë një kërkesë për teknologjinë e lartë. Dhe midis fundit të viteve 50-të fillimit të viteve 60-të, e para nga këto kërkesa ishte eksplorimi i hapësirës. Lindi një industri hapësinore masive, që ka shërbyer si lokomotivë e ekonomisë së dijes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sot, megjithatë, ndonëse hapësira ka ruajtur një rol të rëndësishëm, ajo nuk është më lokomotiva e risive. Por siç mbështesin me argumenta të fortë Giovanni Bignami dhe Andrea Sommariva-n, mundet – përkundrazi duhet – të rikthehet. Sepse ekonomia e dijes ka nevojë për risi të vazhdueshme. Dhe risitë prodhohen mbi të gjitha në skajet e kufijve ku ndizen sfida të paprecedenta, kulturore, para se të jenë teknologjike. Hapësira është një nga këto. Madje, së bashku me njohjen e Tokës dhe menaxhimin e saj, është kryesorja.

Objektivi i qartë dhe motivimi i fortë nga këndvështrimi kulturor, është kombinimi i mendimit të biologes Lynn Margulis dhe filozofit Immanuel Kant: Kopështi ynë i shtëpisë, sistemi diellor, dhe zgjerimi i natyrshëm i biosferës, për të cilën Toka, për arsye të ndryshme, ka në nevojë; sistemi diellor duhet të bëhet, ashtu si stacioni hapësinor ndërkombëtar, shtëpi e përbashkët e njerëzimit. Jo për të mbathur veshjet

ceremoniale, por për të realizuar eksplorimin në një klimë që favorizon bashkëpunimin paqësor, në vend të konkurrencës agresive.
Nëse kjo është korniza, ja që objektivat në afat të shkurtër, të mesëm, e të gjatë (ose shumë të gjatë) të treguar nga Bignami dhe Sommariva, kanë një dimension realist. Madje të nevojshëm. Objektivi kohëhkurtër është të eksplorohen – dhe jo vetëm me robotë, por me njerëz – asteroidët që janë miniera të vërteta në qiell të hapur, për flori ose metale të tjera të rënda e të çmuara. Gjithshka lind në origjinën e sistemit diellor, kur pluhurat e supernovës të shpërthyer, nga të cilat jemi bërë edhe ne, filluan të organizoheshin në objekte të mëdha: Dielli, planetët, asteroidët. Dielli është një kovahçanë bërthamore e ndezur, që nuk është e mundur të eksplorohet. Mbi planetet në formim e mbi tokë në veçanti, metalet e rënda dhe të çmuara si ari, për shkak të gravitetit janë futur më thellë.

Mbi asteroidët, për shkak edhe të gravitetit të dobët, janë të pranishme edhe në sipërfaqe. Nga këtu vjen propozimi: shkojmë të marrim floririn dhe substancat e tjera të çmuara për të cilat ekonomia jonë ka nevojë. Nevojitet të vihen në zbatim teknologji ekonomike, përveç se pararojë. Mbetet pyetja, në rast se kjo Eldorado kozmike rezulton një kufi i kalueshëm, dhe sikur të mundnim të nxirrnim në sasi të mëdha minerale të çmuara, a do të rrezikonte ekonomia e planetit Tokë, siç ndodhi me Europën e Pesëqindës pas zbulimit të Amerikës, një inflacion të madh?

Objektivi i dytë në afatmesëm e afatgjatë është të zbarkohet mbi Mars dhe të fillohet të ndërtohet një koloni, ku të kultivohen asparagë e gjithë çka nevojitet për mbijetesën njerëzore. Jo për të risjellë zarzavatet mbi Tokë, por për të ndërtuar një “Tokë të Dytë”, një vend alternativ ku një pjesë e njerëzimit në rritje demografike mundet të gjejë mikpritje. Një projekt i ngjashëm do të kishte dimensione të jashtëzakonshme dhe si pasojë, do të ishte një stimul i fuqishëm për ekonominë e dijes, përveçse për filozofinë e kozmosit dhe të pranisë njerëzore në kozmos.

Objektivi i tretë i propozuar nga Bignami e Sommariva, ai në afat shumë të gjatë, lind nga një konstatim: herët a vonë, Dielli do t’u nënshtrohet një serie transformimesh të mëdha, që do ta shkatërrojnë Tokën dhe do ta bëjnë të pajetueshëm sistemin diellor. Njerëzimi, nëse do të dojë të mbijetojë, duhet të gjejë mikpritje mbi ndonjë planet që vjen rrotull ndonjë ylli tjetër. Të fillojmë të paktën ta projektojmë zhvendosjen. Edhe masat paraprake të organizimit mund të ndërtojnë një stimul domethënës për ekonominë e dijes. Të gjitha këta objektiva kozmike kërkojnë një mendim të ri. Do të kemi nevojë, prandaj, jo vetëm për shkencëtarë dhe inxhinierë, por edhe për poetë, si Dante e Ariosto, të aftë të kapërcejnë kozmosin me lehtësi dhe me mprehtësi. / ScienceMag – Bota.al