UNESCO: Puna në Novobërdë do të miratohet nga mbikëqyrësi ynë
Foto: Laura Hasani

UNESCO: Puna në Novobërdë do të miratohet nga mbikëqyrësi ynë

Kultura October 05, 2019 - 09:21
Detajet
Image

Që nga fillimi i shtatorit asnjë punëtor nuk është ngjitur në Kalanë e Novobërdës për të vazhduar punën e restaurimit të Kalasë, që ndodhet atje. Punimet në Kalanë mesjetare nga kompania serbe “Koto”, e autorizuar nga UNESCO-ja, u ndërprenë më urdhër të institucioneve vendore të kulturës. Kjo ndodhi pas raportimeve për përdorimin e mjeteve të rënda, saktësisht ekskavatorëve, gjatë punimeve. Megjithatë, në një përgjigje zyrtare për gazetën “Zëri”, nga Zyra për Medie e UNESCO-s kanë thënë se punimet do të vazhdojnë së shpejti dhe do të mbikëqyren nga ta, shkruan gazeta "Zëri".

George Papagiannis, zyrtar i UNESCO-s, ka thënë për gazetën “Zëri” se ata vazhdimisht janë në kontakt me institucionet lokale dhe se punimet do të rifillojnë nga kompania serbe “Koto” në momentin që të merret autorizimi dhe se cilësia e tyre do të miratohet nga mbikëqyrësi i UNESCO-s. “Punimet do të rifillohen nga kompania pasi të kenë marrë autorizim shtesë dhe zbatimi dhe cilësia e tyre do të sigurohen nga mbikëqyrësi i UNESCO-s. UNESCO-ja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet vendore përgjegjëse dhe në këtë moment jemi duke pritur autorizimin që të vazhdojnë punimet, duke u bazuar në dokumentacionin teknik shtesë të paraqitur në 17 shtator 2019”, ka thënë George Papagiannis.

Në anën tjetër, ndonëse më 10 shtator i kishte thënë gazetës se e pret një raport të detajuar nga komisioni për punët e deritashme në Kalanë e Novobërdës, si dhe për fazat në vijim, ministri në largim i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Gashi, të premten i ka thënë “Zërit” se për një raport të tillë ende po punohet dhe se si pasojë e kësaj punimet janë ende të pezulluara. “Komisioni po vazhdon punën për raportin që jua kam kërkuar. Me sa e di, po finalizohen edhe disa gjëra. Deri atëherë, siç e dini, punimet në Kalanë e Novobërdës janë ndërprerë. Po presim edhe disa ditë të shohim se si do të vijojë kjo çështje”, tha shkurt Gashi përmes telefonit, shkruan gazeta "Zëri".

MKRS-ja i është drejtuar edhe Prokurorisë

Rikujtojmë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nëpërmjet Prokurorisë Themelore të Gjilanit ka paraqitur edhe kallëzim kundër Srgjan Gjorgjeviqit, me banim në Novobërdë dhe kundër kompanisë “Koto”, nga Serbia, konkretisht Beogradi, e kontraktuar për realizimin e punimeve në projektin e revitalizimit të Kalasë së Novobërdës. Përmes një njoftimi MKRS-ja ka bërë të ditur se kallëzimi penal ndaj të sipërpërmendurve është bërë sepse ekziston dyshimi i bazuar mirë se të dyshuarit kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë, ku Srgjan Gjorgjeviq, duke vepruar në emër të kompanisë “Koto”, në cilësinë e mbikëqyrësit të projektit për revitalizimin e Kalasë së

Novobërdës, ka kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”, kurse kompania “Koto” mban përgjegjësi për veprën penale në cilësinë e personit juridik.

Projekti i revitalizimit të Kalasë së Artanës financohet nga UNESCO-ja dhe kompania fituese ka qenë e obliguar që t’i kryejë punimet nën mbikëqyrjen e zyrtarëve profesionalë të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Më datën 2 shtator 2019, duke mos përfillur obligimet për të njoftuar organin mbikëqyrës, që është në kundërshtim edhe me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, e ka angazhuar një ekskavator dhe ka filluar që t’i rrënojë muret rrethuese të Kalasë. Me këto veprime, të cilat janë në kundërshtim edhe me standardet e ndërhyrjeve konservuese-restauruese në objekte të trashëgimisë kulturore, i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme këtij aseti të trashëgimisë sonë kulturore. “Pasi që në veprimet e të dyshuarit të përshkruar më lart qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale ‘Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës’ si MKRS i kemi propozuar prokurorit të Shtetit që ndaj të dyshuarit të ngrejë aktakuzë në gjykatën kompetente, me propozim që të dënohet sipas ligjit”, përfundon kështu njoftimi i MKRS-së./ZËRI