Bekim Lumi do të nderohet në Gjermani

Kultura November 23, 2018 - 10:36

Bekim Lumi, regjisor i teatrit dhe profesor në Akademinë e Arteve në Prishtinë, do të nderohet të shtunën në Mynih të Gjermanisë në një ceremoni përkujtimore, shkruan sot gazeta "Zëri".

Takimi nën moton “Për nder të Bekim Lumit” do të mbahet në “Theater Heppel & Ettlich”, më 24 nëntor, duke filluar nga ora 15:00, në adresën “Feilitzschstraße 12”, München, bëhet e ditur nga një kumtesë për shtyp. Gjatë takimit përkujtimor për Lumin do të ofrohet edhe një forum diskutimesh, ku do të takohen artistë të ndryshëm dhe artdashës. “Kjo iniciativë buron nga regjisori kurd në Mynih, Dr. Haëre Zangana dhe Sabine Böhlau, të cilët kishin idenë dhe morën iniciativën për organizimin e kësaj ceremonie për ta nderuar Bekim Lumin”, shkruhet në kumtesë. Organizatorët vendosën të nderojnë figurën e tij në të dyja anët edhe si një artist, por edhe si një njeri. Ideja tjetër e këtij organizimi qëndron në atë se artdashësve të Mynihut do t’i jepet hapësirë të takohen me një art të ri e që sipas tyre cilësohet si i veçantë.

Përmes një kumtese për shtyp organizatorët shprehin bindjen se ky takim do të sjellë frymëzim për avangardën artistike për eksperimentin dhe thellësinë shprehëse që bart arti i këtij artisti në një skaj të Evropës.

“Theater Heppel & Ettlich”, teatër që veçohet në skenën teatrore gjermane, kishte hapur dyert e tij me dashamirësi për këtë manifestim, duke njohur personalitetin, si dhe profilin krijues të Lumit.

Siç dihet, më 14 qershor të këtij viti premiera e tij “Arturo Ui” (Bertolt Brecht) u shfaq në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, një kryevepër kjo skenike me një analizë bashkëkohore, duke pasqyruar pa mëshirë zhvillimet shoqërore në Kosovë, por edhe në Evropë. Regjisori Lumi kishte arritur deri te finalizimi i provës gjenerale dhe në të njëjtën kohë luftoi shumë me sëmundjen. Pikërisht në natën e premierës ai e dorëzoi shfaqjen te publiku, kurse vetë u shtrua në spital.

Bekim Lumi vdiq në fund të korrikut në moshën 51-vjeçare. Kjo vdekje kishte shkaktuar dhimbje te të gjithë kolegët e miqtë e Lumit edhe në Gjermani. Lumi kishte bashkëpunuar gjatë viteve të ’90-ta me ata, në kohën kur kishte jetuar si refugjat në Gjermani dhe në po atë kohë kishte punuar edhe si regjisor. Kjo nismë është bërë falë krijuesve gjermanë dhe shqiptarë, që njëkohësisht ishin edhe miq të regjisorit të ndjerë.

Gjatë muajve shtator, tetor dhe nëntor u luajt repriza e “Arturo Ui” nga Bertolt Brecht, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë nga e gjithë trupa e aktorëve të tij.

Përmes një njoftimi është bërë e ditur se në këtë takim audiencës do t’i ofrohen pjesë të ceremonisë mbresëlënëse të homazheve në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, si dhe motive të inskenimeve të Bekimit, që do të luhen prej aktorëve te ansamblit të tij, Afrim Kasapolli dhe Bujar Ahmeti, arie nga tenori Luan Durmishi, fjalime të përfaqësuesve të skenës teatrore internacionale si: Dima Schneider (Volkstheater Mynih), Otto Novoa (Theaterlabor “Unser Theater e.V.”), Jeton Neziraj, Gonxhe Boshtrakaj, Arian Krasniqi etj. Zëri