Yjet shqiptare mblidhen në Romë, me ta edhe Dua Lipa

Kultura November 19, 2018 - 11:50

Gjithçka është gati që sonte në teatrin “Argentina” në Romë, duke filluar nga ora 20:30 të mbahet koncerti i shumëpritur organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë për nder të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqipërisë, Skënderbeut.

Për gazetën “Zëri” pianisti Genc Tukiçi ka konfirmuar se ai bashkë me artistët e tjerë veçse janë mbledhur në Romë dhe janë gati ta përfaqësojnë Shqipërinë me këtë koncert.

“Ne jemi mbledhur në Romë. Mbrëmë kemi pasur një dark të përbashkët. Ndihem i privilegjuar që jam këtu sepse nuk do të përfaqësojë veten si Genc por Shqipërinë”, ka thënë Tukiçi për “Zërin”.

Në këtë koncert që titullohet “Të Bashkuar në Muzikën dhe Kujtimin e Skënderbeut” sonte do të interpretojnë Ermal Meta, Dua Lipa, Olen Çezari, Inva Mula, Kledi Kadiu, Genc Tukiçi, Reme Lahaj, Elhaida Dani, Lorik Cana, Eno Peci, Erza Muqolli.

Tukiçi ka konfirmuar për “Zërin” se tashmë në Romë ka arritur edhe këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, e cila gjithashtu do të ngjitet sonte në skenë. Në anën tjetër, të martën, më 20 nëntor në orën 10:00, delegacioni shqiptar do të pranohet në Pallatin Magjistral të Urdhrit Sovran të Maltës, me të cilin Shqipëria ka mbajtur marrëdhënie që nga viti 1994, nga Mjeshtri i Madh i Rendit, Fra Giacomo Dalla Torre del Tempio di Sanguinetto. Zëri