Libri i javës – “Kambana e qelqtë” nga Sylvia Plath

Kultura November 19, 2018 - 10:27

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Kambana e qelqtë”, të shkrimtares Sylvia Plath.

Ky libër është përkthyer në shqip nga Davjola Ndoja dhe është botuar nga shtëpia botuese “Pegi”.  Sugjerojmë për lexim këtë vepër të autores së famshme amerikane, të vetmes në prozë të shkruar nga ajo, ndër të tjera për arsyen se “Kambana e qelqtë” është roman në të cilin Plath e portretizon veten. Romani flet për rrugëtimin e Esterit, një vajze të hijshme e një studenteje të mirë që fiton një bursë dhe punë në një revistë prestigjioze, mirëpo pavarësisht kësaj në kryeveprën e saj të njohur e të gjithëkohëshme, Sylvia Plath tërheq lexuesin brenda shkatërrimit të Esterit dhe e bën me një forcë të tillë sa marrëzia e saj bëhet e prekshme, e vërtetë, pothuajse racionale. Ky depërtim i thellë në skutat më të errëta e më pikëlluese të psikikës njerëzore është një nga arritjet më të jashtëzakonshme të letërsisë.

Përmes realizmit të cilin Plath e përdor në këtë roman na bën të kuptojmë se të qenit “i përkryer” ose të qenit “i mirë” nuk është e përballueshme për një kohë të gjatë. Këtë shkrimtarja arrin ta bëjë duke na shtyrë të ecim në këpucët e një gruaje të re, të bukur e të talentuar siç është Esteri, por edhe duke na përplasur me të gjitha sfidat, intrigat dhe dhimbjet qe jeta ia sjell asaj përballë.

E veçanta e romanit “Kambana e qelqtë” është se për të nuk mund të thuhet se është thjesht një roman klasik i letërsisë sepse për nga tematika që trajton ky mbetet një roman i cili do të vazhdojë t’u flasë njerëzve gjithmonë për problemet e natyrës njerëzore që trajton e të cilat do të ekzistojnë në çdo kohë.

Sylvia Path (1932-1963) ishte një poete dhe shkrimtare amerikane, e lindur në Boston. Ajo studioi në Smith College dhe në Universitetin e Cambridgeit, para se të njihej ndërkombëtarisht si një nga shkrimtaret e reja më premtuese. Në pjesën më të madhe të jetës së saj Plath vuajti nga depresioni patologjik dhe u trajtua disa herë me terapitë e elektroshokut. Ajo i dha fund jetës në vitin 1963. Plath njihet si një nga poetet më të rëndësishme në zhanrin e lirikës vetërrëfyese dhe njihet kryesisht për dy përmbledhje me poezi: “The Colossus And Other Poems” dhe “Ariel”. “Kambana e qelqtë”, proza e saj e vetme, u botua pak muaj para vdekjes. Në vitin 1982 ajo u nderua me çmimin “Pulitzer” për të gjitha poezitë e saj. Zëri.