'Nëntori i ftoftë' sjell ankthin dhe rezistencën e të ’90-tave

Kultura November 17, 2018 - 09:27
Lexo tjera detaje
Image

Ekrani i kinemasë “Cineplexx” në Prishtinë u ndez mbrëmjen e së premtes për një film të prodhuar në Kosovë. “Nëntori i ftohtë” i regjisorit Ismet Sijarina është tashmë pjesë e programit të rregullt të kësaj kinemaje, pas një rrugëtimi të suksesshëm në skenën ndërkombëtare. Ky film na dërgon në vitet e ’90-ta dhe protagonisti kryesor i këtij filmi, Fadili (Kushtrim Hoxha), është njëri nga ata personazhe që sjellin vendime të çuditshme, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ai dhe familja e tij përballen me vështirësitë e të qenët shqiptarë në Kosovën e asaj kohe dhe njerëzit e gjykojnë Fadilin pa e ditur ndoshta arsyen e vërtetë dhe rrugëtimi jetësor i tij komplikohet skajshmërisht. Tridhjetegjashtëvjeçari që punon arkivist në ndërmarrje shtetërore gjendet në një situatë të vështirë dhe i duhet të zgjedhë ndërmjet dy opsioneve, që të dyja të gabuara: vendimi për të qenë patriot ose baba i përgjegjshëm. Filmi përçon gjithë presionin, dhunën psikike e fizike ndaj shqiptarëve të Kosovës që dëboheshin nga masat e dhunshme nga puna. Në të nuk mungojnë as ora policore e protestat simbolike, si ajo e zhurmës me çelësa si simbol i kyçjes dhe zhurma me enët e zbrazura si simbol i mungesës së ushqimit. Me anë të situatave në të cilat Fadili gjendet pasqyrohet qartazi se si u përshkallëzuan në atë kohë raportet mes shqiptarëve, boshnjakëve e serbëve në ish-Jugosllavi. Këngë të rokgrupit të njohur “Jericho” janë pjesë e këtij filmi. Ato janë xhiruar live në set dhe këndohen nga aktori Kushtrim Hoxha. Përveç Hoxhës, që sjell rolin kryesor, në këtë film luajnë edhe Adriana Matoshi, Majlinda Kosumoviç, Fatmir Spahiu, Bislim Muçaj, Lum Veseli e Kushtrim Sheremeti. Në anën tjetër, regjisori ka sjellë edhe aktorët e famshëm nga Bosnja, Emir Haxhihafizbegoviç, fitues i “Luanit të Artë” e gjithashtu edhe aktoren Gordana Boban. Në një konferencë për medie, që i parapriu premierës lokale, regjisori Sijarina u shpreh falënderues ndaj gjithë ekipit me të cilin ka punuar për të prezantuar para publikut një film, që na çon në një kohë të vështirë për shoqërinë kosovare. Skenarin e filmit ai e ka bërë bashkë me Arian Krasniqin, kurse producent i “Nëntorit të ftohtë” është Fatmir Spahiu. Filmi flet për Fadilin (36), një arkivist në ndërmarrje shtetërore, i cili i gjendur në një situatë të vështirë duhet të zgjedhë ndërmjet dy opsioneve, që të dyja të gabuara: vendimi për të qenë patriot ose baba i përgjegjshëm. “Kur filmi ka nisur si ide ka qenë i bazuar në fragmente të ndryshme. I gjithë qëllimi im ka qenë që të flas përmes filmit me audiencën dhe shpresoj që filmi do të komunikojë me ju. Unë nuk kam pasur stres në krejt premierat që i kam pasur jashtë, por me audiencën lokale po e ndiej një përgjegjësi më të rëndë. Shpresoj që filmi do t’ju pëlqejë”, tha Sijarina. 

Në anën tjetër, si një rrëfim të vogël për një dramë të madhe e ka përkufizuar “Nëntorin e ftoftë” skenaristi Arian Krasniqi. “Tematikisht është një periudhë që nuk është trajtuar shumë ose hiç ajo e viteve të ’90-ta. Si një përkufizim me një fjali, është një rrëfim i vogël i një drame të madhe të popullit tonë si në aspektin politik, social e psikologjik. Kur e kemi nisur idenë bashkë me Ismetin kemi qenë të bindur se po tregojmë një rrëfim të veçantë në mënyrën tonë e kësaj mënyre, këtij rrëfimi i janë bashkëngjitur edhe njerëzit e tjerë për ta bërë të mundur atë që ju e shihni. Filmi ka udhëtuar nëpër festivale dhe shpresojmë që të pritet mirë edhe para audiencës sonë”, u shpreh Krasniqi para gazetarëve.

Për aktoren Adriana Matoshi, që në këtë film paraqitet në rolin e Hanës, gruas së personazhit kryesor Fadilit, puna me ekipin e filmit “Nëntori i ftoftë” ishte kënaqësi. Ajo shpreson që filmi, që kanë arritur të finalizojnë, të mirëpritet para publikut në Kosovë. “I lehtë realizimi me ndihmën e regjisorit. E vështirë për mua ishte se kemi xhiruar në një kohë tepër të ftoftë. Për mua ka qenë kënaqësi e veçantë të punojnë me Ismetin, Fatmirin dhe të gjithë pjesën tjetër të ekipit”, theksoi Matoshi. Përveç Prishtinës, filmi “Nëntori i ftoftë” do të shfaqet edhe para publikut në Prizren në kinemanë “Doku Kino”.

Filmi “Nëntori i ftohtë” pati disa prezantime në festivale ndërkombëtare brenda një kohë relativisht të shkurtët, si në Festivalin në San Sebastian të Spanjës, në Festivalin e Filmit në Cyrih, në Festivalin e Bosforit në Stamboll të Turqisë dhe së fundi në atë të Selanikut, duke marrë dhe çmime. Në Festivalin e Filmit në Cyrih “Nëntori i ftohët” mori çmimin për “Audiencën”, kurse në atë të Bosforit në Stamboll aktori Kushtrim Hoxha mori çmimin e “Aktorit më të Mirë” për rolin kryesor në “Nëntori i ftohtë”./ZËRI

Image