Erza Muqolli performon në Romë në mesin e artistëve shqiptarë

Kultura November 17, 2018 - 08:39
Lexo tjera detaje

Teatri “Argentina” do të mbledhë disa artistët shqiptarë që do të performojnë në një vend. Më 19 nëntor për të nderuar heroin kombëtar Skënderbeun do të perfomojnë emra të shquar të artistëve shqiptarë. Në mesin e Inva Mulës, Dua Lipës, Genc Tukiçit, Eno Peçit, Lorik Canes, Olen Çezariyt, Elhaida Danit dhe Ermal Metës do të marrë pjesë edhe artistja e re Erza Muqolli. Takimi i cili do zhvillohet në këtë nëntor këtë herë është duke u bërë me kërkesë të kreut të Misionit Diplomatik të Shqipërisë në Selinë e Shenjtë. Majlinda Dodaj do të takojë përfaqësues të popullit shqiptar në Vatikan, të cilët do të shoqërohen nga autoritet e larta të qeverisë shqiptare dhe nga liderët e të gjitha besimeve fetare. Kurse Erza, që do të jetë pjesëmarrëse në këtë takim, është bërë e njohur me zërin e saj karakteristik me pjesëmarrje në “France’s Got Talent”, ku arriti të jetë në mesin e pesë finalistëve të fundit të vlerësuar nga juria.

Erza rrjedh nga një familje shqiptare nga Drenica, e lindur dhe e rritur në Francë, e cila tashmë krahasohet me këngëtaren e famshme franceze Indila. Erza u bë e njohur me stilin e saj unik, me zërin e saj të veçantë, duke tërhequr vëmendje në mbarë botën. Ajo njihet për performancën e saj dhe rikthimin e këngëve të njohura ne versionin e vet origjinal. Këngëtarja ka realizuar shumë cover të këngëtarëve të njohur francezë, kurse publiku është duke pritur lansimin e këngëve të saja të reja. Tashmë Erza është pjesë e grupit “Kids United”, i përbërë nga 5 fëmijë të talentuar, të cilët këndojnë nëpër qytete të ndryshme të Francës.

Kujtojmë se Erza në emisionet televizive në Kosovë ka kujtuar edhe prejardhjen e saj dhe ka shprehur dëshirën e saj për të jetuar në Kosovë. Ajo ka dëshmuar në programe televizive, duke kënduar këngë për vendlindjen e babait të saj.