E mbyllur në atelie, shtatorja e Anton Çettës në pritje të lokacionit

Kultura November 15, 2018 - 10:18
Image

Ka më tepër se tridhjetë ditë qëkur skulptori Agon Qosa e ka përfunduar punimin e shtatores së veprimtarit Anton Çetta, e cila pritet të vendoset në Prishtinë. Ekipi i gazetës “Zëri” e ka vizituar atelienë e skulptorit ferizajas të mërkurën për të parë nga afër shtatoren trimetërshe të profesorit Anton Çetta, tashmë të larë në bronz. Me një portret të buzëqeshur, një dorë që shtrihet si për pajtim dhe një qëndrim trupi jokrejtësisht gatitur, gati-gati spontan, imazhi i Anton Çettës është jetësuar në një vepër arti.

Duke shpjeguar procesin e tij të punës nga argjila në bronz, skulptori Qosa tregoi se gjithçka është finalizuar brenda afatit të caktuar prej 5 muajsh. “Mostrën dhe bucetën i kam punuar në tri ditët e fundit sa ka qenë i hapur konkursi. Në atë konkurs morën pjesë 6 skulptorë, kurse unë dola fitues. Afati i caktuar ka qenë 5 muaj dhe unë punën e kam përfunduar më 10 tetor. Punimi i skulpturës bëhet me mellë në argjilë, pastaj në gips dhe në fund në bronz. Kjo skulpturë tashmë është gati dhe është miratuar nga familja e nga këshilli organizativ. Shtatorja edhe është paguar, vetëm pritet të vendoset lokacioni”, thotë Qosa. Tutje skulptori shton se debatet që janë bërë për lokacionin se ku duhet ose nuk duhet të vendoset kjo shtatore nuk i kanë pëlqyer. “Është keq që kësaj figure heroike, figure të paqes, nuk i është bërë ende vendi. Është një kohë e gjatë që po pritet dhe është bërë shumë debat. Nuk po i gjendet një vend kësaj shtatoreje edhe pse ky është një prej heronjve të parë. Për mua si autor i veprës është e vështirë që skulptura po rri në atelie dhe nuk po dihet ende për lokacionin”, u shpreh Qosa.

Image

I pyetur se cila ka qenë pjesa më specifike e punimit të kësaj shtatoreje ose detaji te i cili ka qenë i përqendruar ta vërë më fort në pah, skulptori Qosa tregon se qëllimi i tij kryesor ka qenë që skulptura të reflektojë paqen. “Gjithçka çfarë është dashur të nxjerr nga skulptura e Anton Çettës është paqja, buzëqeshjen e butësinë. Këto i ka pasur Anton Çetta. Si profesionist janë elemente të kuptueshme që mund të nxirren, por te secili person janë ato vështirësitë e specifikat që i ka secili prej nesh”, tha Qosa.

Gjatë karrierës së tij si skulptor Qosa, i diplomuar në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ka punuar dhjetëra buste e skulptura të personaliteteve të ndryshme.

Rikujtojmë se Instituti Albanologjik ka refuzuar vendosjen e shtatores së Çettës në oborrin e vet me arsyetimin se duhet gjetur një vend më të madh për shkak të rolit historik që ka pasur lëvizja e drejtuar nga Çetta. “Këshilli Drejtues afirmon qëndrimin e Institutit Albanologjik të vitit 2010, duke konsideruar se, për shkak të rolit historik që ka pasur Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve dhe në mënyrë të veçantë të prof. Anton Çettës, vendosja e shtatores së tij do të duhej të bëhej në një shesh të madh të qytetit, i cili njëkohshëm do të pagëzohej me emrin sheshi i pajtimit ‘Anton Çetta’ dhe do të kishte infrastrukturë përcjellëse (fontanë, banka për pushim)”, shkruhet në përgjigjen e IAP-së.

E kontaktuar nga gazeta “Zëri” e bija e profesorit Anton Çetta, Donika Çetta, ka thënë se Këshilli Organizativ për vendosjen e kësaj shtatoreje në Prishtinë do t’i drejtohet Komunës së Prishtinës me një kërkesë zyrtare javën e ardhshme, duke i kërkuar këtij institucioni të marrë një vendim se ku kjo shtatore mund të vendoset.  “Ne si familje nuk kemi kërkuar ndonjë vend specifik, por Këshilli Organizativ do ta bëjë një kërkesë zyrtare javën tjetër në Komunën e Prishtinës duke kërkuar që të zgjidhet një lokacion”, tha Donika Çetta për “Zërin”.

Ky Këshill Organizativ përbëhet nga Mulla Xhevat Kryeziu, Don Lush Gjergji dhe Riza Krasniqi.Zëri