Parku 'Ali Podrimja' gjallëron jetën kulturore të Gjakovës

Kultura November 14, 2018 - 10:04
Image

Gjatë sezonit veror që lamë pas qytetarët e Gjakovës kanë pasur mundësi të ndjekin një varg aktivitetesh kulturore të organizuara në parkun “Ali Podrmija”.Ednor Hoti, koordinator i këtij parku kulturor, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se nga maji e deri në fund të shtatorit aty janë mbajtur rreth 50 aktivitete, të cilat kanë tërhequr qindra vizitorë. “Sivjet kemi organizuar 46 aktivitete, në të cilat jo të gjitha kanë qenë net të filmit. Kemi pasur net muzikore, debate, ‘Barcamp Gjakova’, net poetike, punëtori të artit, aktivitete me lojëra të ndryshme etj. Si aktivitete kryesore të filmit mund të them që ishin seria prej pesë filmave në kuadër të ‘Hacking Urban Space’, ku u shfaqën filmat kosovarë, si: ‘Ferdonija’, ‘Engjëjt janë larg’, ‘Një tregim Prishtine’, ‘Burrneshat’ dhe ‘Bota’. Nga aktivitetet muzikore mund të veçoj dyshen Shpat Deda dhe Armend Xhaferi, si dhe supergrupin nga Tirana ‘Peter Pan Quartet’. E veçantë ishte gjithashtu edhe nata poetike kushtuar Ali Podrimjes, si dhe paneli për të mbijetuarat e dhunës seksuale, temë kjo e padiskutuar në publik në qytetin e Gjakovës përgjatë gjithë viteve të pasluftës”, ka treguar Hoti.

Menaxhmeti i parkut kulturor “Ali Podrimja” është i kënaqur me numrin e vizitorëve që ky park ka tërhequr edhe këtë sezon të dytë. “Interesimi i vizitorëve këtë vit ka qenë i jashtëzakonshëm, ku mesatarisht në çdo film ka pasur 100 shikues pavarësisht që herë pas herë dhe kushtet atmosferike nuk ishin të mira. Në filma të caktuar, sidomos ata që ishin prodhim kosovar, numri i audiencës ka shkuar deri në 250. Në netët muzikore po ashtu interesimi ishte tepër i madh. Më duhet të veçoj natën me Shpat Dedën, ku hapësira ishte e pushtuar me adhurues të muzikës së Shpatit”, ka deklaruar Hoti.

Hyrja në të gjitha aktivitetet e organizuara në këtë park këtë vit ka qenë pa pagesë. “Për dallim nga viti i kaluar, ku kemi mbledhur fonde nga paratë e hyrjes dhe ua kemi dedikuar organizatës ‘Down Syndrome Kosova’, sivjet kemi menduar që të kemi hyrjen falas përgjatë gjithë sezonit, gjë që u ka dhënë mundësi gjithë komunitetit të vijnë e të argëtohen pa paguar. Gjatë muajit gusht në bashkëpunim me ‘Kryqin e Kuq’ është vendosur një arkë në park për mbledhjen e fondeve që kanë shkuar për t’i ndihmuar familjet e varfra”, ka thënë Hoti.

Ndonëse përkohësisht i kanë pezulluar aktivitetet për shkak të kushteve atmosferike, menaxhmenti i këtij parku ka filluar të mendojë për programin e sezonit të ardhshëm. “Parku pritet të vazhdojë aktivitetet përsëri në fillim të qershorit të vitit të ardhshëm, ndërsa gjatë këtyre muajve pos që do të punojmë rreth programit veror, po mundohemi të gjejmë dhe një hapësirë të mbyllur për aktivitete dimërore, sepse duam që nga viti i ardhshëm qyteti të ketë një hapësirë sociale dhe kulturore jo veç sezonale, por të mbushur me aktivitete përgjatë gjithë vitit”, tregoi për “Zërin” Hoti.

Rikujtojmë së parku kulturor “Ali Podrmija” u hap në korrik të vitit 2017 pas një fushate 45-ditore online për mbledhjen e fondeve me të cilat u riaktivizua për funksion të kulturës ajo hapësirë e qytetit të Gjakovës. Udhëheqësit e kësaj kampanje arritën të mbledhin 11.020 euro nga rreth 80 kontribuues të ndryshëm, kurse pos kësaj aplikuan dhe fituan fonde edhe nga MKRS-ja, GIZ-i gjerman dhe Ambasada Amerikane, nëpërmes KUSA-s.

Parku kulturor “Ali Podrmija” nisi të jetësohej kur Ednor Hoti bashkë me Arbër Lleshin, drejtues i hapësirës krijuese “Bonevet”, nisën bisedën rreth mungesës së alternativave për socializim për të rinjtë e Gjakovës, sidomos me fokus kulturën dhe kinematografinë.

Të dyve u është bashkuar Jetmir Rogova (bashkëkrijues i festivalit ‘Përralla’) dhe nisën të mendonin për realizimin e këtij projekti në sheshin “Ali Podrimja”, një oazë jo e shfrytëzuar denjësisht për emrin e poetit që mban.

Projekti ka pasur përkrahjen konstante nga Komuna e Gjakovës. Sheshi “Ali Podrimja”, vendi ku planifikohet zhvillimi i Parkut të Kulturës, është dhënë në shfrytëzim nga Komuna e Gjakovës për vitin 2017, me mundësi edhe për 3 vjet tjera.

Përveç aktiviteteve kohë pas kohe të Pallatit të Kulturës, mungojnë organizimet konstante në kulturë me shfaqjet kinematografike që janë zhdukur prej shumë vitesh. Interesi dhe talenti në këtë sferë nuk mungojnë. Ajo që mungon është një skenë alternative, ku këto mund të shprehen e ky park duket si një mundësi e mirë. Zëri