Sot nis 'Kindle Readers Club'

Kultura November 13, 2018 - 09:52

Dionesa Ebibi

Këndi Amerikan në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës po fillon organizimin e një klubi të leximit më të veçantë se të tjerët. Bëhet fjalë për “Kindle Readers Club”, takimi i parë i të cilit do të zhvillohet këtë të martë, më 13 nëntor, me fillim prej orës 17:00.

 Ajo çka e bën këtë klub-libri të veçantë është se librat nuk do të lexohen në formatin e tyre klasik, por përmes shfletuesve elektronikë “Kindle”. Dihet që në kohërat moderne në të cilat po jetojmë ka dy tipa lexuesish, ata që parapëlqejnë librin klasik dhe të tjerët që ndihen më mirë duke lexuar përmes teknologjisë. Për këta të fundit ky klub është klubi i duhur i leximit.

Fitore Misini, asistentkoordinatore në Këndin Amerikan, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se librat që do të përzgjidhen për t’u lexuar gjatë aktivitetit do të jenë në gjuhën angleze dhe të shkruar nga autorë amerikanë. Diskutimet që do të zhvillohen gjatë kësaj ngjarjeje do të jenë po ashtu në gjuhën angleze.

“E veçanta e këtij klubi është se do të lexojmë në ‘Kindle’, të cilët do të mundë të merren në huazim nga ata që do të jenë të rregullt në takimet e këtij klubi”, ka thënë për gazetën “Zëri” Fitore Misini.

Gjatë këtij organizimi do të lexohen tregime të shkurtra nga autorë amerikanë, të cilët do të jenë nga më të ndryshmet dhe të përzgjedhura në mënyrë speciale për lexuesit, kurse udhëheqëse e takimeve do të jetë Saranda Karpuzi- Fulbright ETA. Misini bëri të ditur se ky klub do të mblidhet një herë në dy javë.

“Pjesë e takimeve mund të jenë të gjithë të interesuarit që janë të moshës mbi 16 vjeçe dhe njohja e gjuhës angleze për të gjithë ata që duan të marrin pjesë është e domosdoshme”, ka deklaruar Misini.  Koordinatorja Misini thekson se e rëndësishmja e këtij organizimi qëndron në atë se sa njohuri të veçanta do të përfitojnë ata që do të jenë pjesëmarrës. “Të gjithë ata që na bashkohen do të fitojnë më shumë njohuri rreth autorëve amerikanë, do ta njohin më shumë kulturën amerikane dhe tjetra po ashtu me rëndësi është se do të kalojnë kohë të mirë në shoqërinë e atyre që e duan librin – libradashësve”, thotë Misini.

Për fund ajo bën thirrje për të gjithë ata që e gjejnë veten në gjërat që ka potencuar më lart të bëhen pjesë e këtij klubi dhe të përjetojnë përvoja të reja.