Katër autorë shqiptarë në Panairin e Librit në Vjenë

Kultura November 09, 2018 - 12:01

Me moton “Shqipëria në fokus” letërsia shqipe shkon në panairin ndërkombëtar të librit në Vjenë “Buchwien 2018”, i cili mbahet nga datat 8-9 nëntor.Agron Tufa, Arian Leka, Ilir Ferra dhe Lindita Arapi janë autorët që do të prezantojnë letërsinë shqipe në këtë panair, shkruan zeri.info.

Eseisti i mirënjohur Arian Leka paraqet fragmente tekstesh dhe tregon për zhvillimin e ri letrar në Shqipëri dhe jetën letrare në Tiranë. Agron Tufa prezanton tekste të reja dhe flet për trashëgiminë e vështirë të Shqipërisë dhe sfidat për punonjësit e kulturës në vendin e tij. “Nga Durrësi në Vjenë” shkrimtari shqiptaro-austriak Ilir Ferra paraqet një tekst të ri rreth pritjes së refugjatëve hebrenj në Shqipëri. Lindita Arapi lexon pjesë nga romani i saj, i cili ka fituar disa çmime: “Vajzat me çelës në qafë”, i botuar edhe në gjermanisht “Schlüsselmädchen” dhe bisedon me moderatoren rreth imazhit të Shqipërisë në botën gjermanofolëse.

Kjo pjesëmarrje mbështetet nga “Traduki”, i cili është një rrjet evropian për letërsinë dhe librat, ku marrin pjesë vende të Evropës dhe të rajonit juglindor të Evropës, që mbështet shkëmbimin letrar nëpërmjet një programi përkthimesh nga letërsia, libra eseistikë, si dhe libra për fëmijë e të rinj. Diskutimet moderohen nga kuratorja austriake dhe njohësja e mirë e letërsisë shqiptare, Annemarie Türk. Zëri