Për artin e kulturën në politikë

Kultura November 09, 2018 - 11:54

Dionesa Ebibi

Ka rreth 50 vjet që Adem Mikullovci është aktiv në skenën e artit kosovar. Së fundi Mikullovci, që ka prapa vetes gjysmë shekulli karrierë artistike, është kyçur për të vepruar në fushën e politikës dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare është zgjedhur deputet i Parlamentit të Kosovës.Për gazetën “Zëri” ai flet për përvojën e tij në këto dy fusha, si dhe për artin e politikën në Kosovë dhe dallimet mes tyre.

Sipas Mikullovcit, në Kosovë kemi dy lloje të arteve, aktrimin dhe politikën. “Aktrimi është art, është ndjenjë shpirtërore, kurse politika është rrenë, dallavere. Është njëqind herë më e ndytë se aktrimi”, thotë Mikullovci.

I pyetur se cilët aktrojnë më shumë, politikanët apo aktorët, Mikullovci shprehet se politikanët aktrojnë më shumë se aktorët. “Njëqind herë më shumë aktrojnë politikanët. Aktrimi i tyre është artificial, i rrejshëm, servil e faqezi. Por që dorën në zemër po na prek të gjithëve. E përbashkëta e madhe është qasja te populli, publiku e opinioni në këtë rast”, shprehet ai.

Sipas tij, dallimi mes tyre qëndron në atë se aktori drejtohet nga skena, kurse politikani nga foltorja. Mikullovci së fundmi është duke punuar në Komisionin për Kulturë dhe Art, ku po përpiqet të japë kontributin e vet. “Unë vetëm po mundohem të punoj me Komisionin për Kulturë dhe Art, për t’i bërë disa ndryshime për të mirë të vendit. I kanë rregulluar disa rrugë, por i kanë bërë shumë mbrapsht. Po mundohem, shembull, për ta larguar sportin nga kultura dhe arti. Këto nuk bëjnë së bashku”, është shprehur ai. Mikullovci insiston që kultura e sporti duhet të ndahen dhe të punohet për secilën në drejtim të veçantë. “Duhet të ketë ministri të sportit. Kam hyrë në politikë me njëfarë vullneti të vonshëm, por jo që të merrem me politikë”, shprehet ai.

Të dyja fushat në të cilat ai ka vepruar lidhen me mbijetesën.I pyetur se a më vështirë ishte të udhëhiqej një kafene pa myshteri, duke aluduar në projektin televiziv pjesë e të cilit ai ka qenë për shumë vjet, apo seanca me deputetë, Mikullovci thotë se seanca është më e vështirë. “Jo, seancën me deputetë është më vështirë. Se kafeneja pa myshteri, ulesh, bën sefa, pi për vete, s’ke problem. A deputet në Kuvend është pak më vështirë”, thotë ai.

Shumica e dramave, komedive e skeçeve që janë shkruar nga skenaristët e kanë për bazë historinë e popullit dhe sakrificat e tij, duke i lidhur kështu ngjarjet reale me ato të skenuara.

Seriali “Një pallto për babanë tim në burg” paraqet vështirësitë e sakrificat e të varfërve. Se a po i kalojmë dhe sot këto vështirësi si protagonistët e serialit, Mikullovci tha se edhe sot të varfrit trajtohen njëjtë. “Përafërsisht po, filmi ‘Një pallto për babanë tim në burg’ është sjellja, trajtimi me të varfrit në burgje. Edhe Kuvendi po udhëheq në të njëjtën mënyrë, sjellje të njëjta kanë me të varfrit, të papunët, fukarenjtë, kush hallin nuk u shikon. Ka ngjashmëri të mirë”. Shumë prej temave që sot diskutohen në Parlamentin e Kosovës Mikullovci i ka trajtuar vite më parë në veprat e veta. Ai thotë se kur është shkruar skenari “Zogjtë e luftës” nuk e ka menduar ndonjëherë se edhe pas kaq shumë vitesh nuk do të ketë zgjidhje problemi i të zhdukurve dhe se zogjtë e luftës nuk do të gjinden kurrë.

I pyetur se a zëvendësohen politikanët e rinj prej politikanëve të vjetër, por edhe artistët e rinj a zëvendësohen prej të vjetërve për nga niveli profesional, Mikullovci ka thënë se për nga niveli artistik edhe më meritorët e këtij niveli për këtë gjendje shkojnë në mënyrë tradicionale. “Aktorët e rinj mësohen në shkollë prej aktorëve të vjetër. Këta janë tash më të mirë sesa kemi qenë në kohën e tyre. Kështu që këtu nuk mundemi të themi ky është më meritori. Kjo punë është tradicionale, vetvetiu zhvillohet, edhe në politikë ndodh kryesisht e njëjta”, shprehet ai.

Gjatë karrierës së tij artistike Mikullovci është paraqitur para publikut shqiptar me rreth 70 role, 45 prej të cilave kanë qenë kryesore. Zëri