'Elena Gjika' nderon Skënderbeun

Kultura November 08, 2018 - 10:25

Një nga shkollat më të vjetra të qytetit të Prishtinës “Elena Gjika” është bërë pjesë e aktiviteteve që po mbahen në kuadër të “Vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut”, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, shkruan sot gazeta "Zëri".

Këtë të premte, më 9 nëntor, në orën 10:00, në teatrin “Dodona” të Prishtinës, prezantohet një program i veçantë kulturoro-artistik, i përgatitur nga kjo shkollë.

Me këtë aktivitet shënohet edhe 12-vjetori i bashkëpunimit të shkollës “Elena Gjika” me shkollat e Shqipërisë. Me këtë rast do të mirëpriten edhe mysafirët e bashkëpunëtorët e kësaj shkolle nga Shqipëria. Ky aktivitet do të përkrahet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ministria për Kulturë, Rini e Sport, Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë, si dhe Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës.

Rikujtojmë së gjatë vitit 2018 janë mbajtur dhe po vazhdojnë të mbahen një varg aktivitetesh që i kushtohen heroit kombëtar – Skënderbeut kudo në vendet shqipfolëse. Zëri