'DokuFest' në festivalin e Portos

Kultura November 08, 2018 - 10:23

Një program filmash i përzgjedhur nga drejtori artistik i festivalit “DokuFest”, Veton Nurkollari, do të shfaqet në festivalin “Porto / Post / Doc” në qytetin Porto të Portugalisë. Festivali “Porto / Post / Doc” përmes një njoftimi në faqen e tij zyrtare ka bërë të ditur para publikut portugez se do të prezantohet një program filmash i titulluar “Ne sapo kemi filluar: Historitë e Kosovës”, ose në anglisht “We've Only Just Begun: Kosovo Stories”, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Në gusht ‘Porto / Post / Doc’ shkoi në ‘DokuFest’ në Kosovë me një program të filmave fiksion të kinemasë portugeze. Këtë herë ‘DokuFest’ vjen në Porto në nëntor për të prezantuar dhe për të shpërndarë filmat më të mirë të kinemasë bashkëkohore të prodhuar ose të bashkëprodhuar në Kosovë me programin ‘Ne sapo kemi filluar: Historitë e Kosovës’ (We've Only Just Begun: Kosovo Stories). Do të shfaqen dhjetë filma të ndarë në katër sesione, që do të mbahen nga 27 deri më 30 nëntor midis teatrit komunal ‘Porto – Rivoli’ dhe kinemasë ‘Trindade’”, thuhet në njoftimin e “Porto / Post / Doc”.

Veton Nurkollari, drejtori artistik i  festivalit “DokuFest”, prezanton filmin e shkurtër “Homq”, i cili ka fituar një çmim BAFTA nga regjisori Daniel Mulloy, filmin “Gardhi” nga regjisorja e talentuar Lendita Zeqiraj, e cila ka realizuar një seri filmash me temën e luftës, si dhe dy dokumentarë nga regjisorët premtues të Kosovës që ofrojnë njohuri për vendin më të ri në Evropë.

Festivali “Porto / Post / Doc” zhvillohet në mes të 24 nëntorit dhe 2 dhjetorit në teatrin komunal “Porto – Rivoli”, “Cinema Passos Manuel”, “Cinema Trindade”, “Planetario do Porto” – “Centro Ciência Viva”, Fakulteti i Arteve të Bukura të Universitetit të Portos dhe Escola das Artes - UCP. Ky edicion po përkrahet nga institucionet vendore të Portugalisë.

Rikujtojmë se festivali ndërkombëtar i filmit të shkurtër e dokumentar “DokuFest” është njëri nga festivalet më të vjetra në Kosovë. Me 18 edicione të realizuara me sukses, “DokuFest” mbledh në Prizren çdo vjet filmbërës dhe dashamirë të fotografisë nga e gjitha e bota. Zëri