“BarCamp Prishtina” kthehet me edicionin e 50-të

Kultura November 07, 2018 - 10:28
Lexo detajet!

Konferenca “BarCamp Prishtina” pas disa muajve mungesë kthehet me edicionin jubilar, të 50-in me radhë, i cili do të mbahet këtë të mërkurë, më 7 nëntor në teatrin “Oda”, në Prishtinë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Organizatorët kanë bërë të ditur se folësit e këtij edicioni janë: Atifete Jahjaga - presidente e Kosovës (2011 - 2016), Uta Ibrahimi - alpiniste, Arta Shehu-Zaimi – “CEO jCoders Academy” dhe Visar Arifaj, kryetar i Partisë së Fortë.

“Konferenca ‘BarCamp’ është konferencë joformale, e cila mundëson prezantimin e ideve, të inovacioneve dhe të diskutimeve të hapura rreth çështjeve me tema të ndryshme duke sjellë tema të reja për çdo edicion”, thuhet në komunikatën e organizatorëve.

“BarCamp” thekson se ka shumë të rinj dhe qytetarë në përgjithësi që kanë mbushur hapësirat për të dëgjuar dhe për t’u inspiruar nga folësit e tyre ndër vite dhe për të shkëmbyer ide e përvoja me njëri-tjetrin. Katër folës nga edicionet e kaluara po rikthehen prapë në skenën e “BarCamp”-it për të shënuar këtë edicion të artë. Të pranishëm do të jenë folës që thyen rregullat e politikës, ata që ngjitën malet më të larta në botë, ata që sollën revolucion për edukimin joformal dhe ata që ndryshuan historinë e politikës kosovare. Edicioneve të mëhershme kanë trajtuar tema të ndryshme, ku është diskutuar me shumë personalitete të cilët kanë prezantuar sukseset dhe sfidat e procesit të tyre akademik e profesional në skenën joformale të “BarCamp Prishtina”. /zeri