“Spice Girls” bëhen bashkë pa Victoria Beckhamin

Kultura November 07, 2018 - 10:27
Lexo detajet!

Melanie Brown, Emma Bunton, Geri Horner dhe Melanie Chisholm do të mbajnë një turne muzikor në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit 2019. Lajmi se katër nga pesë vajzat e grupit të famshëm “Spice Girl” janë bashkuar për t’ju kthyer muzikës dhe se në mesin e tyre nuk është Victoria Beckham ka pushtuar mediet e huaja, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Melanie Brown, Emma Bunton, Geri Horner dhe Melanie Chisholm do të nisin një turne gjashtëditor në Mbretërinë e Bashkuar, më 1 qershor 2019, në stadiumin “Manchester Etihad”, me mbështetjen e Jess Glynnes. Në një video që paralajmëronte turneun vajzat nuk e kanë përmendur mungesën e Victoria Beckhamit në mesin e tyre.

Në anën tjetër vetë Beckham përmes një njoftimi për medie e ka arsyetuar mungesën e saj me angazhimet që i ka me kompaninë e saj të modës. Rikujtojmë se pasi e la muzikën Beckham arriti sukses të jashtëzakonshëm në fushën e modës duke u dalluar nga shoqet e saj të grupit. "Të qenit në ‘Spice Girls’ ishte një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e jetës sime dhe u uroj vajzave argëtim në turne. Unë e di se ato do të japin koncerte të mahnitshme për adhuruesit nga e kaluara, por edhe të rinjtë do të kënaqen shumë", deklaroi Beckham.

Pesëshja u ribashkuan herën e fundit për një performancë në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike të Londrës në vitin 2012. Mediet kanë nisur të shkruajnë për këtë turne të ribashkimit, por vetëm në shkurt të vitit 2018 të pesta vajzat mbajtën një takim dhe treguan se kishin për qëllim të punonin së bashku në projekte të reja.

Pas ndarjes anëtarët e këtij grupi kanë punuar veç e veç në projekte të ndryshme muzikore. Karrierën më të shkurtër solo e pati Victoria Beckham, derisa Chisholm vazhdon të bëjë muzikë nën emrin e saj. Brown ka qenë anëtare jurie në programin për talente “X Factor”, në mesin e emisioneve të tjera televizive. Bunton është një prezantuese në “Radio London” dhe kohët e fundit u bë e ditur se do të jetë udhëheqëse e  programit “Great British Bake Off”, ndërsa Horner ka shkruar libra për fëmijë dhe ka qenë një gjykatëse në  “Australia Got Talent”.

Ribashkimi i këtij grupi ka shkaktuar reagime të ndryshme. Ka disa gjenerata që janë nostalgjikë për krijimet muzikore, si dhe për performancat e “Spice Girls” e ka edhe të tjerë që janë skeptikë se vajzat që dikur ishin sensacion në skenën muzikore do të gjinden në tregun e tanishëm muzikor. /ZERI