Shënohet 110-vjetori i Kongresit të Manastirit

Kultura November 07, 2018 - 10:22
Lexo detajet!

ëDionesa Ebibi

Për të shënuar 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u mbajt të martën konferenca shkencore “Lumo Skendo dhe themelimi i revistës ‘Diturija’”.  Në kuadër të shënimit të këtij përvjetori u bë edhe promovimi i botimit anastatik i revistës “Diturija” (1909 - 1929), si dhe u hap ekspozita e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Abetarja shqipe (1906 - 2018)”, me ilustrime dhe tipografi, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, në hapje të kësaj konference tha se profesorët dhe studiuesit e njohur që kanë një qasje studimi të njohur për këtë vepër do të shërbejnë si derë e fortë për të mbajtur fuqinë e veprës së Mithat Frashërit, që njihet me emrin artistik Lumo Skendo. Ai tha se nëse duan të kenë sukses si bibliotekë ju nevojiten aleanca të reja.

“Është e rëndësishme se studiuesit janë ata që identifikojnë, zbulojnë pista të rëndësishme të kërkimit. Autoritetet kanë nevojë për ndihmë specifike, për të lehtësuar hulumtimin, për gjetjen dhe për burimin e ruajtjen e këtyre materialeve. Studiuesit zbulojnë sekretet e jetëgjatësisë, sakrificën dhe bujarinë e veprës së Mithat Frashërit”, theksoi Gajraku. 

I pari i Bibliotekës Kombëtare shtoi se pos veprimtarisë kulturore, ajo çka është shumë e rëndësishme prej këtij aktiviteti është edhe beteja për gjuhën shqipe.  

“Kjo veprimtari që po organizohet është e vlefshme, e domosdoshme, sepse pjesëmarrësit e këtij Kongresi nuk ishin vetëm në betejë për gjuhën shqipe, por edhe në betejë politike e kulturore, njëra nga vendimtaret e luftës sonë”, theksoi ai.

Zëvendësministrja e Kulturës, Leonora Morina-Bunjaku, në emër të ministrisë përkatëse, tha se Kongresi i Manastirit jetësoi aspiratat e shqiptarëve si komb.

"Kongresi i Manastirit jetësoi aspiratat më të rëndësishme të shqiptarëve si komb. Ishin aspiratat e Rilindjes Shqiptare dhe përpjekjet e tyre për ngjarjen e tillë, e cila merr përmasa gjithëshqiptare. Ëndrra e Naimit, Samiut, Pashko Vasës, De Radës u bë realitet në nëntor të vitit 1908. Nuk duhen harruar Motrat Qirijazi, të cilat arritën të hapin shkollën më 1891-n, në Korçë”, theksoi ajo.

Morina shtoi se i mbetet profesionistëve t’i bëjnë bilancet e arritjeve, të ngecjeve eventuale.

Në anën tjetër Persida Asllani, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, në fjalën e saj të rastit tha se revistat kulturore janë një nga kapitujt më interesantë, më domethënës të historisë së kulturës shqiptare.

“Gjuha dhe kultura shqiptare sfiduan tema, debate, përmes të cilave u dëshmua historia e popullit dhe se është ngritur një vetëdije identitare më e artikuluar”, theksoi Asllani.

Kurse kryetari i Fondacionit Arsimor Kulturor Humanitar - ALSAR, Mehdi Gurra, publikisht kërkoi që nëse tashmë ka prodhime të tilla për të botuar si revista në fjalë, duhet të çohen përpara.

Konferenca nisi me ligjëratën e Sabri Hamitit me titull “Numri i parë i revistës ‘Diturija’”, pastaj vazhdoi me Persida Asllanin me punimin “Revista e Lumo Skendos dhe misioni i dijes” duke vazhduar me referuesit e tjerë si: Dhurata Shehri, Dr. Agron Gjekmarkaj, Dr. David Hosaflook, etj.

Për gazetën “Zëri” Don Lush Gjergji, nga Ipeshkvia e Kosovës, deklaroi se ngjarjet si kjo, përmes të cilave kujtohet e kaluara, janë shumë të rëndësishme.

“Çdo gjë që shndërrohet si ngjarje e së kaluarës e ka aktualitetin sot. Unë them se duhet të kujtohet e kaluara, e sidomos e kaluara pozitive. Historia është mësuese e jetës, mjaft na kanë marrë historinë ose edhe thënë ndryshe ia kemi dhënë vetë të tjerëve. Të dimë të përcaktohemi e të orientohemi në aspektin kulturor”, theksoi ai.

Në këtë ngjarje u ekspozua edhe katalogu “Abetarja shqipe” (1906-2018), i cili nxjerr në pah disa koleksione të abetareve. Në të përfshihen abetaret e shqipes të botuara në Bukuresht, Firence, Vjenë, Aleksandri, Tiranë, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Prishtinë, Prizren, Shkup, Beograd dhe Podgoricë. 

“Autorët e këtyre abetareve, të përfshirë në katalog, kanë pasur ndikim jo vetëm në dijen për shkrim e lexim në gjuhën shqipe, por edhe ndikim në zhvillimin e arsimit të shkollave shqipe”, shkruhet në katalog.

 Disa nga autorët e tyre janë: Lek Gruda, Lef Nosi, Aleksandër Xhuvani, Mehmet Gjevori, Ramiz Hoxha, Qamil Batalli. /ZERI