Të mbijetuarat e dhunës seksuale prezantojnë 'Ngjyrat e shpirtit tonë'

Kultura November 06, 2018 - 10:10

Dionesa Ebibi

Në ambientet e Lapidariumit të Muzeut të Kosovës është hapur të hënën ekspozita “Ngjyrat e shpirtit tonë”, e përgatitur në kuadër të projektit “UN Women”. Ajo çka e bën të veçantë këtë ekspozitë, e cila shfaq brendinë e shpirtit të artisteve, është fakti se artistet veprat e tyre nuk i kanë nënshkruar me emër, për shkak të paragjykimeve me të cilat mund të përballen. Në shumicën e punimeve që u prezantuan në kuadër të kësaj ekspozite mbizotërojnë elemente si: pëllumbi, simboli i paqes, natyra, ngjyra e kaltër e dashuria.  Ekspozita ka për qëllim ngritjen e vetëdijes qytetare për të mbijetuarat e dhunës seksuale, duke reflektuar mbi kufizimet që kanë jetuar ato ndër vite, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ekspozita “Ngjyrat e shpirtit tonë” u hap nga Ulrika Richardson, përfaqësuese e “UN Women” në Kosovë. Richardson theksoi se përmes kësaj ekspozite synohet të ngrihet zëri i grave të dhunuara gjatë luftës.  “Kjo ekspozitë ka shumë ngjyra, që në realitet japin shpresë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë konfliktit të fundit, ende nuk ndihet zëri i tyre, ende nuk është ofruar drejtësia për to, ende mbeten pa zë”, u shpreh Richardson.

 Ajo theksoi se kjo është një mënyrë e shprehjes së përjetimeve të rënda të jetës që ka pësuar kjo kategori e shoqërisë sonë. “Ka shumë të mbijetuara që flasin, por shumë më shumë prej tyre ende kanë frikë dhe turp të flasin në publik. Kjo ekspozitë, kjo mënyrë e shprehjes është një prej mënyrave se si mund të shprehen dhe të paraqesin se çka janë duke kaluar në jetën e tyre”, deklaroi Richardson.
Në anën tjetër artistja Blerta Syla-Surroi, e cila edhe ka udhëhequr punëtoritë e kësaj ekspozite, në hapje të saj potencoi se në këto punime shprehet liria, shpresa e ardhmja. “Për gjithë atë kohë sa ka zgjatur punëtoria ne menduam kështu dhe vepruam kështu, prandaj gjithë këto punime janë fryt i kësaj pune që e bëmë me kaq dashuri. Këto gra me gjithë dhimbjen që e kanë, hallin që jetojnë tash e sa vite, sikur u liruan, u është zbehur gjithë kjo në kohën sa e zhvilluam këtë punëtori”, theksoi ajo.

Image

Sipas skulptores Arjeta Miftari, kjo ekspozitë përçon mesazhin e shpresës dhe dëshirën për jetë, pavarësisht të gjitha përjetimeve nëpër të cilat viktimat seksuale kanë kaluar. “Mesazhi i kësaj ekspozite qëndron në atë se secila pikturë e ka një lloj shprese për të kaluarën e hidhur e për të ardhmen më të mirë. Veç shpresës shihet dhe dëshira, e cila përçohet për një jetë reale”, theksoi ajo.

Miftari tha se mesazhi tjetër është paqja, sepse në shumicën e fotografive shihet pëllumbi, pastaj ngjyrat e dashurisë japin shumë motiv shprese.

E pranishme në hapjen e ekspozitës “Ngjyrat e shpirtit tonë” ishte edhe ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Pas hapjes së ekspozitës Jahjaga deklaroi për medie se vazhdon të jetë përkrahëse e kësaj kategorie të shoqërisë dhe njësoj me përkushtim po e përkrah edhe këtë ekspozitë, si dhe të gjitha aktivitetet e tjera që organizohen në këtë drejtim. “Jam duke përkrahur pa kusht këtë ekspozitë. Unë jam takuar me shumë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Ekspozita ka një reflektim të shpirtit, reflektim të brendshëm. Këto piktura përcjellin emocion. Duhet falënderuar organizatat që punojnë në vazhdimësi për mbrojtjen e të mbijetuarave të luftës”, theksoi Jahjaga.

Kjo ekspozitë është realizuar në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës, me galerinë “Monet”, “Medica Gjakova”, “Medica Kosova”, Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave. Zëri