Libri i javës - 'Xhevdet beu dhe të bijtë' nga Orhan Pamuk

Kultura November 05, 2018 - 09:51

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Xhevdet beu dhe të bijtë”, nga shkrimtari i famshëm turk Orhan Pamuk. Ky libër është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Skanderbag Books” në Tiranë dhe vjen i përkthyer prej origjinalit në turqisht nga Stefan Vuçani, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Xhevdet beu dhe të bijtë” është romani i parë i autorit nobelist Orhan Pamuk, i shkruar në vitin 1979, në formën e një kronike të gjatë familjare e me sfond të theksuar historik. Ndërsa e shkruante këtë vepër Turqia po kalonte një nga turbullirat më të ashpra politike të historisë së saj; ishin ditët e vrullshme para grushtit të shtetit, përvoja e hidhur e të cilit e përshkon këtë libër. Rrëfimi fillon me rënien e Perandorisë Osmane e pasojat e saj dhe jep një imazh të mrekullueshëm të Stambollit dhe të banorëve të tij për një shekull të tërë. Është Shefqeti, një prej tregtarëve të parë myslimanë, ai që na përgatit për një botë të tërë imazhesh dhe ndodhish, si dhe këtë ortek marramendës idesh dhe kronikash. Ai po bëhet gati që të martohet, ëndërron të zgjerojë biznesin e tij dhe të bëjë pasuri, të krijojë një familje të madhe. Madje një familje stambolliane me shëmbëlltyrën e jetës perëndimore, ndikim që ka nisur të ndihet tashmë nëpër ajër. Tregtari ynë ia del të mbledhë kapital dhe të bëhet një qytetar i ri i botës në këtë republikë të re turke. Me përvojat dhe jetën e pasur të Shefqetit, të bijve dhe të nipërve të tij, Pamuku na jep historinë e modernizmit të Turqisë së shekullit XX.

“Unë rrija në dritaren time, ndërkohë që miqtë e mi përballeshin jashtë me terrorin. Ndihesha fajtor që në ato ditë kur qëmtoja për këtë libër miqtë e mi arratiseshin nga vendi ose futeshin nëpër burgje”, shkruan Pamuk për ditët kur e formësonte këtë vepër, ky prag i parë nga nis jeta e tij e gjatë prej rrëfimtari të madh.

Romanin “Xhevdet beu dhe të bijtë” mund ta blini për 15 euro. Nga shtëpia botuese “Skanderbag books” në gjuhën shqipe gjeni edhe librat “Unë jam e kuqja”, “Baulja e babait”, “Bora”, “Jeta e re”, “Stambolli”, “Muzeu i pafajësisë”, “Libri i zi”, “Flokëkuqja” e “Cudia në mendjen time”, nga i njëjti autor. Zëri