Teatri 'Adriana' për herë të parë me repertor të rregullt

Kultura November 05, 2018 - 09:48

Në dërrasat e skenës së teatrit të qytetit të Ferizajt “Adriana” tash e tutje aktorët do të ngjiten më shpesh. Kjo për arsye se menaxhmeti i Teatrit, që mban emrin e artistes së vrarë në luftën e fundit të Kosovës, ka përgatitur programin e rregullt të shfaqjeve teatrore, i cili do të nisë nga ky muaj. Ky ndryshim vjen si rezultat i insistimit dhe i angazhimit të Këshillit Drejtues dhe menaxhmentit të këtij Teatri. Në këtë program përfshihen prodhimet e teatrit “Adriana”, si dhe shfaqjet mysafire, shkruan sot gazeta "Zëri".

Për gazetën “Zëri” Besim Ugzmajli, anëtar i Këshillit Drejtues të teatrit “Adriana”, që është emëruar rishtazi, tha se po angazhohen që para publikut ferizajas t’i rikthejnë disa shfaqje të punuara në këtë teatër, si dhe të sjellin shfaqje mysafire. “Është hera e parë në historinë e qytetit të Ferizajt që teatri profesionist ‘Adriana’ organizon repertorin e vet. Ne jemi angazhuar që së bashku me drejtorin e Teatrit Fatmir Hysenin dhe me të gjithë aktorët e këtij Teatri t’i rikthejmë disa shfaqje që janë punuar këto vitet e fundit, por sigurisht që në bashkëpunim edhe me teatrot tjera kemi arritur që të organizojmë shfaqje gati të përditshme për muajin nëntor, për të vazhduar edhe muajve në vazhdim”, deklaroi Ugzmajli për “Zërin”.

Sa i përket interesimit të qytetarëve të Ferizajt për ta përcjellë punën e teatrit “Adriana”, Ugzmajli theksoi se janë optimistë që publiku do të familjarizohet me oraret e rregullta të këtij teatri dhe të ndahet i kënaqur me programin e shfaqjeve. “Publik presim të ketë mjaftueshëm, pasi repertori është një sistem organizimi tepër i nevojshëm për të krijuar publik të rregullt, kështu që spektatori ferizajas dhe jo vetëm do të familjarizohet me oraret e rregullta të shfaqjeve dhe në këtë mënyrë krijohet shprehia e ardhjes në teatër. Neve na mbetet që këtij publiku t’i ofrojmë shfaqje sa më kualitative dhe shfaqjet tona nga Ferizaj do të udhëtojnë në vazhdimësi në teatrot tjera brenda dhe jashtë Kosovës, nëse kjo do të mbështetet edhe financiarisht, sigurisht”, përfundoi kështu Ugzmajli.

Një paralajmërim për programin e ri është publikuar edhe në faqen zyrtare të teatrit “Adriana”. Aty menaxhmenti i ka bërë thirrje publikut ferizajas që t’i ndjekë prodhimet teatrore të këtij institucioni dhe të tjera prodhime të punuara gjatë vitit 2018.

Nga programi i publikuar tashmë kuptojmë se shfaqja e parë në Ferizaj për këtë muaj do të jetë të mërkurën, më 7 nëntor. Në skenën e teatrit “Adriana” do të vihet shfaqja e përgatitur pikërisht në këtë teatër “Psikozë n’4:40” nga Fatos Berisha. Menjëherë pas saj, më 8 tetor prezantohet shfaqja “Kukulla” e teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit, me regji të Kaltrim Balajt. Programi i këtij teatri vazhdon më 15 nëntor me shfaqjen “Hipokritët ose pacienti anglez” nga Qendra Multimedia në Prishtinë me regji të Agon Miftarit dhe të Blerta Nezirit, për të vazhduar me shfaqjen “Oh, oh Xhulia” të Besim Ugzmajlit.  Pjesë e programit të nëntorit është edhe një shfaqje për fëmijë. Bëhet fjalë për shfaqjen “Shkolla dhe fustanella” nga Kushtrim Asllani, që prezantohet më 19 nëntor. Po në këtë ditë jepet edhe shfaqja e titulluar “Shfaqja që shkon keq”, nga regjisori Ilir Bokshi. Fundi i muajit në teatrin “Adriana” është i rezervuar për tri shfaqje të tjera. Bëhet fjalë për shfaqjen “Lufta e Tretë Botërore, ndoshta diçka, diçka s’po di, s’po di..” e teatrit “Oda” regjinë e së cilës e ka bërë Florent Mehmeti, që para publikut ferizajas del më 21 nëntor, si dhe dy shfaqjet e përgatitura po në këtë teatër “Kur hana del” e Ben Apollonit, si dhe “Verteri” nga Stefan Shlater.

Gjatë nëntorit dy shfaqje të Teatrit të Ferizajt do të prezantohen në dy qytete të tjera të Kosovës. “Oh, oh Xhulia” e Ugzmajlit udhëton për në Gjilan dhe prezantohet në teatrin e këtij qyteti më 20 nëntor, kurse “Psikozë n’4:40” e Fatos Berishës prezantohet në teatrin “Bekim Fehmiu” të Prizrenit më 23 nëntor. Zëri