'Artisti i vetëm', premierë në teatrin 'Faruk Begolli'

Kultura November 03, 2018 - 13:18
Lexo tjera detaje

Teatri “Faruk Begolli” në Prishtinë mirëpriti të premten premierën e shfaqjes “Artisti i vetëm”, me autor dramaturgun gjerman Ralph Hammerthaler.

Në shfaqje luan aktori Naim Berisha (në rolin e personazhit Hans Klipp), i cili njëkohësisht është edhe regjisor i shfaqjes, kurse regjisor mbështetës është Shkelqim Bunjaku. “Artisti i vetëm” trajton dramën e brendshme të një artisti të madh, i cili për shkak të degradimit të artit dhe shijes së publikut përjashtohet nga shoqëria me dhunë, për t’u vënë në situatë të skajshme jetësore dhe ekzistenciale.

Personazhi i vetëm i kësaj shfaqjeje, Hans Klip, gjatë prezantimit të tij të fundit para publikut të tij të zgjedhur rrëfen jetën e tij, momentet kulminante artistike në të kaluarën dhe dramën e tij në të tashmen. Në fund të shfaqjes Hans Klip vetëlargohet dëshpërueshëm nga arti i tij dhe nga vetvetja, duke renë në humnerën e pakthyeshme të dëshpërimit.

Shfaqja në mesazhin e saj bën thirrje për kthimin e vlerave kulturore në një shoqëri që është zvetënuar nga vlerat e mirëfillta dhe paraqet protestën më sublime kundër antivlerës.