Festivali i Filmit Frankofon sjell 15 filma në 5 komuna

Kultura November 03, 2018 - 08:21
Lexo tjera detaje
Image

Me një film që ka marrë çmimin më të lartë të kinemasë franceze, atë “Cezar”, u hap të premten në Prishtinë edicioni i 18-të i Festivalit të Filmit Frankofon. Me shfaqjen e filmit francez “Au revoir la-haut”, nga Albert Dupontel, në kinemanë “Cineplexx” nisi zyrtarisht edicioni i 18-të i këtij festivali, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, në një konferencë për medie, që i parapriu hapjes së Festivalit, tha se vazhdimësia e këtij festivali për 18 vjet në Kosovë tregon përkushtimin e Francës jo vetëm ndaj kinematografisë, por edhe ndaj Kosovës. “E kam kënaqësinë të bëj inaugurimin e edicionit të 18-të të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë. 18 vjet është edhe pothuajse mosha e Kosovës së lirë. Kjo tregon se angazhimi i Francës si për kinemanë, ashtu edhe për Kosovën është i vjetër. Mund të themi se është njëri prej festivaleve më të vjetra që është ende aktiv në Kosovë. Për ne ky është një simbol që bashkon Francën dhe Kosovën”, tha ambasadori Didier Chabert.

Festivali, që u hap mbrëmjen e së premtes, do të zgjasë dhjetë ditë dhe në kuadër të tij do të shfaqen pesëmbëdhjetë filma, njëri prej të cilëve është i animuar dhe katër janë filma kosovarë. Bëhet fjalë për filmat “Home sweet home” nga Faton Bajraktari, “T’padashtun” nga Edon Rizvanolli, “Martesa” nga Blerta Zeqiri, si dhe “Gardhi” nga Lendita Zeqiraj. Të katërt këta filma kosovarë janë dëshmuar nëpër shumë festivale ndërkombëtare. “Këtë vit Festivali i Filmit Frankofon ka program më të dendur se zakonisht. Falë mbështetjes nga ambasadat e tjera frankofone kemi organizuar një festival që do të zgjasë dhjetë ditë, në kuadër të tij do të shfaqen pesëmbëdhjetë filma dhe do të jemi prezentë në pesë qytete të Kosovës. Kështu do të kemi mundësi të prezantojmë filma të shumëllojshëm e po ashtu edhe një film të animuar që flet për luftën e parë botërore”, theksoi Chabert. Më tutje ai tha që kanë qenë të përkushtuar të përzgjedhin filma që flasin për miqësi, për marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe që përçojnë mesazhe pozitive. “Të jemi sa më paqësorë dhe të drejtohemi drejt së ardhmes është mesazhi që përcjellin shumë nga filmat e këtij edicioni. Mendoj që përçimi i një mesazhi të tillë në regjionin e Ballkanit, ku lufta ka qenë prezente, është diçka shumë e rëndësishme”, theksoi ambasadori Didier Chabert.

Në anën tjetër, në këtë konferencë për medie zëvendësministrja e Kulturës, Burbuqe Bakija-Deva, në emër të MKRS-së falënderoi ambasadat frankofone për përkushtimin me të cilin kanë organizuar këtë festival filmi në Kosovë ndër vite. Burbuqe Bakija-Deva përmendi edhe faktin se tashmë Kosova gëzon statusin e anëtarit të asociuar në Institutin e Frankofonisë. “Kosova vetëm para disa ditëve ka fituar statusin e anëtarit të asociuar në Institutin e Frankofonisë. Përmes avancimit të këtij statusi Kosovës do t’i jepen mundësi të reja, më të mëdha në reflektimin e vlerave frankofone në rrafshin ndërkombëtar. Shembull më i mirë i kësaj është edhe pjesëmarrja e Kosovës në edicionin e 8-të të lojërave të frankofonisë në Bregun e Fildishtë, ku Kosova arriti të fitojë dy medalje të arta”, theksoi zëvendësministrja. Më tutje ajo u shpreh e lumtur që në kuadër të këtij festivali po prezantohen edhe disa filma kosovarë. “Jam e lumtur që në kuadër të këtij festivali Kosova do të jetë pjesëmarrëse me katër filma, të cilët njëkohësisht janë të përkthyer edhe në gjuhën frënge dhe tash e tutje do të jenë të qasshëm gjithandej ku flitet gjuha frënge. Deri më tani këta filma janë dëshmuar si filma me vlerë dhe kanë treguar potencialin që ka Kosova në fushën e kinematografisë. Bashkëpunime të tilla si ky me Aleancën Franceze krijojnë mundësi dhe kushte për përmbushjen e objektivave të promovuara historikisht”, tha Deva.

Festivali i Filmit Frankofon sivjet do të shtrihet në Prishtinë, ku filmat do të shfaqen në kinemanë “Cineplexx”, në kino “ABC”, në kino “Armata”, në “Doku Kino” të Prizrenit, në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, si dhe në Shtëpitë e Kulturës në Graçanicë e Mitrovicë. Oraret e filmave që shfaqen në kuadër të këtij festivali mund t’i gjeni në faqet e tij zyrtare në internet.