Mulliqi prezantoi rreth 50 piktura të femrave

Kultura November 02, 2018 - 09:46

Në ambientet e “Hanit të dy Robertëve” në Prishtinë të mërkurën piktori Agron Mulliqi ka prezantuar para artdashësve një ekspozitë të radhës. Ekspozita më e re e Agron Mulliqit solli 50 piktura të femrave ose nuseve, siç i quan autori. Kjo ekspozitë përmbledh punimet e tri cikleve në një dhe finalizimi i kësaj pune ia ka marrë Mulliqit tre deri në katër vjet. Për gazetën “Zëri” piktori Mulliqi pas hapjes së ekspozitës deklaroi se secila pikturë përcjell mesazh, edhe pse secila në shikim të parë të jep përshtypjen e një figure të njohur dhe të trajtuar ndryshe. Mulliqi thotë se për të më e rëndësishme është imagjinata dhe inspirimi. “Ka ndodhur që me muaj e kam pritur inspirimin e duhur për të nxjerrë diçka të re në pah. Artin e kam pasion dhe njëkohësisht jetoj prej tij. Artin e kam biznes, i shes pikturat dhe asnjëherë nuk kopjoj artistë të huaj ose edhe vendorë, sepse secili duhet ta ketë mënyrën e vet të shprehjes”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, për ekspozitën foli edhe kuratori i saj, Carl Hammerdorfer. Ai tregoi se me Agronin është njoftuar para dhjetë vjetëve gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ku kishte intervistuar studentët e KAEF-it. Duke kërkuar punime me më shumë ngjyra edhe me abstrakte Hammerdorfer kishte gjetur në punën e Mulliqit dhe deklaroi se ndihet i lumtur që ka gjetur edhe më shumë se që ka kërkuar. Hammerdorfer e cilësoi Mulliqin si përfaqësues të denjë të kulturës së Ballkanit dhe tregoi se sa me vlerë e konsideron paraqitjen e grave në punën e Agronit. “Është nder që t’i them disa fjalë për shokun tim Agron Mulliqin, të cilin e kam takuar dhjetë vjet më parë. Tash shumë shpesh kaloj kohë me Agronin në atelienë e tij, sepse është një koleksion i mrekullueshëm i eksperiencave të tij. Sonte këtu janë tri cikle, Agroni fillon ta pikturojë një cikël dhe pastaj ndalon së pikturuari atë cikël dhe fillon me diçka krejt ndryshe, në kërkim të inspirimit e kjo gjë ndonjëherë i merr më shumë se dy muaj. E shoh Agronin si një përfaqësues të denjë të kulturës ballkanase dhe evropiane. Figurat, format e ndryshme e format e portreteve gërshetohen në mes vete në formën më të mirë. Më pëlqen përfaqësimi që kanë gratë në punimet e Agronit”, u shpreh Hammerdorfer në fjalën e tij.

Image

Në mënyrë profesionale me art Mulliqi merret që nga paslufta, por sipas tij ana profesionale po ngatërrohet me atë amatore kohëve të fundit. Mulliqi deklaroi se me dëshirë ka pranuar ftesën e “Hanit të dy Robertëve” për prezantimin e një ekspozite aty. Ekspozita tha se bën rrallë, por kërkesën e tyre nuk mundi ta refuzonte shkaku se, siç kujton ai, ky vend edhe në kohën e Millosheviqit ka lënë hapësirë promovimi për artistët shqiptarë. I pyetur se cila është ekspozita personale që e veçon më së shumti nga e gjithë karriera e tij, Mulliqi tregoi se “Simfonia e formave” është ekspozita më e dashur për të. Ekspozitë kjo që ndërthur tri mediume: qeramikë, pikturë dhe vizatim.

E disa komente për punën e Mulliqit i pati edhe vajza e tij Nita, e cila duket se e ka trashëguar talentin nga i ati. Për “Zërin” ajo tha se me të atin e saj shpesh pikturojnë bashkë për t’u relaksuar. “E kujtoj kohën e fëmijërisë kur me babanë punonim piktura murale, piktura këto të cilat e mbushin albumin tonë të kujtimeve, të cilat sot i mbajmë në shtëpi”, tha ajo.

Piktori Agron Mulliqi ka prapa vetes një bagazh të madh artistik. Ai ka prezantuar para publikut një numër të madh ekspozitash personale dhe ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive. Zëri