“Integra” padit Mehmet Krajën

Kultura November 01, 2018 - 09:24
Lexo Detajet

Organizata joqeveritare “Integra” ka paditur për “Shpifje” në Gjykatën Themelore të Prishtinës akademikun Mehmet Kraja. Në padinë e dorëzuar më 30 tetor “Integra” kërkon 10 mijë euro dëmshpërblim. Shkas për këtë është bërë një artikull i Krajës, që ka ardhur si kundërpërgjigje ndaj kritikëve të “Fjalorit Enciklopedik të Kosovës”. Në cilësinë e kryeredaktorit të veprës dyvëllimëshe Kraja ka përmendur edhe organizatën që ka publikuar raportin “Kriza në Akademi” në fillim të këtij muaji, shkruan sot Gazeta "Zëri".

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, Kushtrim Koliqi, drejtor ekzekutiv i organizatës “Integra”, thotë se deklarata e vetme e tij në lidhje me padinë për “Shpifje” që i është bërë Mehmet Krajës qëndron në raportin e tyre. Sipas këtij raporti, publicisti Mehmet Kraja në shkrimin e tij të titulluar “Lehtësia e padurueshme e hipokrizisë”, saktësisht në paragrafin e katërt, shpif në lidhje me stafin dhe me synimin e OJQ-së “Integra”.

“Në këtë pikë, ndonëse përpiqet të tregojë fleksibilitet, duket se autori ka rënë nën influencën e fuqishme të asaj OJQ-je që synon integrimin e Kosovës në Serbi (dy çunat e asaj OJQ-je nuk kanë bërë gjë tjetër në jetën e tyre, përveçse si dy pëllumba kanë kërcyer nga dega në degë, duke kënduar “Mirëdita − Dobar dan!”) dhe që së fundi bëri raport për Akademinë dhe i vuri në lojë të gjitha mediet, duke përfshirë edhe një komision parlamentar”, ka shkruar akademik Kraja këtë muaj në një reagim kundër tekstit të Blerim Latifit. Me aprovimin e padisë kërkohet që të vërtetohet se i padituri ka shpifur për organizatën dhe përfaqësuesit e saj, të ndalet kjo shpifje dhe të tërhiqet informacioni shpifës nga të gjitha mediat online. I padituri të obligohet të paguajë dëmin moral me vlerë prej 10.000 eurove.

Organizata ka publikuar provat ku tregon për statusin e OJQ-së, veprimtarinë dhe arritjet e përfaqësuesve të saj, qëllimet e projekteve, provat specifikojnë edhe qëllimin e festivalit “Mirëdita, Dobar dan!”, qëllimi i të cilit është krijimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga persona aktivë në kulturë, medie, shoqëri civile dhe politikë.

Koliqi thotë se nuk kanë pasur asnjë kontakt me të paditurin Kraja dhe se ligji do të flasë për shpifjen që është bërë.

Në anën tjetër, gazeta “Zëri” ka provuar gjatë së martës ta kontaktojë përmes telefonit akademikun dhe publicistin Mehmet Kraja për të marrë edhe qëndrimin e tij për këtë padi, por kontakti me të ka qenë i pamundur./ZERI