Kultura

Beqiraj triumfon në “Takimet e poeteshave shqiptare”

Beqiraj triumfon në “Takimet e poeteshave shqiptare”
01 nëntor 2018 • 08 : 45

Lexo Detajet

Image

Vushtrria edhe një herë i ka mbledhur poetet shqiptare nga të gjitha trojet në festivalin tashmë tradicional të 36-të me radhë “Takimet e poeteshave shqiptare”. Risi e edicionit të sivjetmë ishte çmimi “Mysafiri i Nderit”, i cili i është ndarë fotografit më të njohur dhe më të vjetrit në komunën e Vushtrrisë Nesim Spahiut. Poetja Naime Beqiraj, me poezinë “Mosbindje femnore” ka ngadhënjyer në festivalin e sivjetmë, ndonëse juria profesionale në përbërje Vehbi Miftari kryetar, Elmaze Zaimi anëtare dhe Donikë Gashi anëtare, e pati të vështirë të vendosë për poezitë më të mira, pasi konkurrenca për t’i fituar çmimet ishte shumë e madhe. Programit të ndarjes së çmimeve i parapriu një program i pasur kulturoro-artistik, në të cilin merrni pjesë artistët e vjetër vushtrrias, Lidie Pasoma, Shaban Krasniqi, Elvira Maxhiqi dhe Dëshira Maxhuni, shkruan Gazeta "Zëri."

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili ka hapur festivalin tha se ndihet shumë i lumtur që qyteti i Vushtrrisë tradicionalisht po arrin t’i mbledhë poetet shqiptare në një manifestim të veçantë të poezisë.

Juria profesionale e festivalit çmimin e parë ia ndau poezisë “Mosbindja femnore”, të poetes Naime Beqiraj. Çmimi i dytë i festivalit “Takimet e poeteshave shqiptare” i ka takuar Medina Pasomës me poezinë “Emri yt”, ndërsa çmimin e tretë e fituan poetet Blerina Tërbunja me poezinë “Rruzat e larme” dhe Zade Kuçi me poezinë “Ngushëllimi i rëndë”. Çmimi i debutueses së festivalit i është dhënë poetes së re Sadie Krasniqi.

Kryetari i jurisë profesionale Vehbi Miftari i vlerësoi lart krijimet e poeteve shqiptare me të cilat u paraqiten në festival, në veçanti poezinë fituese të festivalit “Mosbindje femnore”, për të cilën tha se ka një motivim të fuqishëm dhe merr elemente biblike që pasqyrojnë jetën reale të femrës. “Është poezi e fuqishme, ka një motivim të fuqishëm përbrenda dhe merr elemente biblike, të cilat i pasqyron me një situate reale jetësore që lidhet me femrën. Poetja Beqiraj është e njohur edhe për faktin se me publikun komunikon në gegërishte dhe kjo është diçka që i pëlqen publikut”, tha Miftari.

Në anën tjetër poetja Naime Beqiraj, tejet e kënaqur dhe e lumtur për çmimin, i vlerësoi lart edhe poetet tjera të paraqitura në festival, në veçanti ato më të rejat. Beqiraj tha se çmimi i fituar në festivalin e 36-të tradicional të “Takimet e poeteshave shqiptare” është një prej çmimeve më të dashur për të. Për gazetën “Zëri” Beqiraj tregoi se ky është pikërisht festivali prej ku e ka filluar rrugën e saj artistike. “Atëherë poete e re, nxënëse e gjimnazit të Pejës, u prezantova si 17-vjeçare. Lexoja shumë, shkruaja pak (edhe sot shkruaj pak). Më kujtohet se si atëbotë Qibrije Demiri me karrierë letrare të konsoliduar i reagoi jurisë se pse nuk u shpërblye poezia ‘Tringë’. Nuk njihesha me profesoreshën Qibrije, të cilën sot e kam shoqe. Pas dy vjetësh, pra më 1987-n, si 19-vjeçare, asokohe studente e vitit të parë të Letërsisë shpërblehem me çmim të parë. Në konkurrencë me poetesha shumë të njohura, çfarë rruge të trasuar mori kthesa ime. Prandaj si i tillë ky festival e ka pasur misionin t’i përkrahë poetet. Ku më shumë e ku më pak, herë i ndërtuar mirë e herë me kthesa jofort cilësore, ai vazhdoi edhe në vitet nëntëdhjetë ku kushtet për jetë kulturore ishin pothuaj joekzistues. Kam marrë pjesë edhe në ato vite herë si juri, herë në tribuna, por në konkurrencë jo. Sivjet vendosa të sfidoj vetveten”, deklaroi Beqiraj.

Tutje, shkrimtarja falënderoi organizatorët, duke u nisur nga kryetari i Komunës Xhafer Tahiri, drejtoreshën për Kulturë Fatmire Cecelia dhe gjithë stafin, të cilët siç u shpreh ajo, u dhanë të gjitha poeteshave trajtimin e dinjitetshëm që e meritojnë gjatë qëndrimit të tyre në Vushtrri./ZERI

Image

 

© zëri.info