Qeveria shpronëson ndërtesën e ish-‘Gërmisë’

Kultura October 23, 2018 - 16:31

Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së mbajtur të martën ka dhënë vendimin për shpronësim të ndërtesës së ish “Gërmisë”, ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nëpërmes rrjeteve sociale. Sipas kryeministrit Haradinaj, ky objekt do të adoptohet si Sallë Koncertale duke e ruajtur stilin arkitektonik si pjesë e memories kolektive, shkruan zeri.info.

“Një ndër vendimet kryesore të Mbledhjes së sotme të Qeverisë, ishte ai për shpronësimin e ish ndërtesës së ndërmarrjes “Gërmia”, për adaptimin e saj për Sallë Koncertale, duke e ruajtur stilin arkitektonik si pjesë e memories, sipas kërkesës së komunitetit të artistëve. Kabineti qeveritar, po ashtu, miratoi Strategjinë Shtetërore Kundër Korrupsionit si dhe Planin e Veprimit 2018-2022, kurse me qëllim të trajtimit dhe parandalimit të aksidenteve në trafik është themeluar Këshilli për Siguri në Trafikun rrugor. Po sot, është vendosur për shpronësimin e pronave me qëllim ndërtimin e Autostradës “Prishtinë - Gjilan-Dheu i Bardhë”, ka shkruar kryeminstri Ramush Haradinaj.

Rikujtojmë se Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit e ka futur më 11 tetor këtë objekt në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme. Zëri