Libri që i bën homazh Alanit

Kultura October 23, 2018 - 10:10

Në shtator të vitit 2015 trupi i një djali sirian 3-vjeçar u gjet në brigjet e Mesdheut, i mbytur gjatë tentimit të familjes së tij për t’u larguar nga lufta civile në vendin e tyre. Imazhi i Alan Kurdit, që është bërë një simbol i pashlyeshëm i një krize humanitare që vazhdon edhe sot, frymëzoi edhe Khaled Hosseinin, autor i "Gjuetarit të balonave", "Edhe malet oshtinë" dhe "Njëmijë diej vezullues", për të hartuar librin e tij të parë të ilustruar "Sea Prayer" në përgjigje të këtij momenti të shkatërrimit individual dhe global. "Unë jam babai i dy fëmijëve, kështu që pika ime e hyrjes në atë sagë të tmerrshme ishte me pikëpamjen e babait të Kurdit", tha ai në një intervistë me “Book Review” , shkruan sot gazeta "Zëri".

"Unë e përfytyrova këtë pjesë si një monolog në mes të një babai e djalit të tij dhe kur u ula për ta shkruar atë, zëri që doli ishte i thjeshtë dhe melodik". Artisti Dan Williams, të cilin Hosseini i besoi për të krijuar një tregim vizual për të shoqëruar tekstin e tij të lirë poetik, përdor bojëra uji për të ngjallur diçka universale. "E gjithë esenca e këtij projekti është se është apolitik", tha Williams. Teknikat e tij të pikturës kanë një lehtësi prekëse që shërben për të aluduar në temën e vështirë që trajtohet edhe grafikisht. "Duke iu përgjigjur fjalëve të bukura të Khaledit, unë e krahasova atë me një lloj valle: herë pas here jeni shumë larg dhe pastaj herë të tjera jeni tepër intim, por gjithmonë është një partneritet", theksoi artisti.  “Por nuk është e gjitha dënim dhe errësirë. Drita është një pjesë tepër e rëndësishme e punës sime dhe simbolikisht kjo sjell një nivel shprese. Duhet të ketë gjithmonë një element shprese”, përfundoi ai.

Në anën tjetër shkrimtari afgan Hosseini theksoi se ky libër është shkruar jo vetëm për ta ruajtur kujtimin për Alanin, por edhe për  t’u bërë simbol i të gjithë atyre njerëzve që humbasin jetën në det. “Le të jetë një kujtesë për dëshpërimin e padepërtueshëm që i detyron njerëzit të rrezikojnë gjithçka që kanë”, theksoi shkrimtari.

Kjo nuk është hera e parë që shkrimtari Khaled Hosseini në krijimtarinë e vet letrare trajton temën e emigrantëve. Duke qenë se edhe ai vetë është një refugjatë i ikur katër dekada më parë nga Afganistani, përjetimet e tij personale reflektojnë edhe në romanet që shkruan. I pyetur se si ndihet teksa zhvillon karrierën e tij, por vendi prej nga vjen ende nuk ka gjetur paqen, Hosseini deklaron se kjo për të është zemërthyese. “Është zemërthyese. Njerëzit e Afganistanit e meritojnë paqen. Ekziston një popullsi shumë e re dhe energjike në Afganistan që është e etur të angazhohet me botën e jashtme. Shpresoj që këtyre afganëve të rinj t'u jepet hapësirë ëspecifike dhe zhvillim ekonomik e siguri për t'i bërë aspiratat e tyre të realizohen. Jam i inkurajuar që të paktën ka ndonjë dialog rreth lëvizjes drejt një marrëveshjeje paqeje. Asnjë luftë kurrë nuk përfundon nëse palët kundërshtare nuk ulen në tryezë”, thekson shkrimtari. 

Khaled Hosseini, i lindur më 4 mars 1965, është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës sonë. Në sajë të një tregu botues në mbarë botën shumë nga historitë e Afganistanit që tregon ai janë lexuar edhe nga njerëzit në Perëndim. Romanet e tij mund të jenë fiksion, por ato janë plot me të vërteta që vlejnë kudo në botë. Khaled Hosseini punoi si mjek në një spital në “Mountain View” në Kaliforni për disa vite para se të publikonte romanin “Gjuetari i balonave”. Në vitin 1999 ai mësoi përmes lajmeve se talebanët kishin ndaluar fluturimin e balonave në Afganistan dhe kjo ishte mizore për të sepse ai ishte rritur me këtë sport derisa jetonte në Afganistan.

Hosseini u motivua të shkruante një histori të shkurtër prej 25 faqesh për dy djem që fluturonin balona në Kabul. Ai e rigjeti shkrimin në garazhin e tij në vitin 2001 dhe filloi ta zgjerojë për ta bërë roman pas sugjerimit të një shoku të tij. Sipas Hosseinit, tregimi u bë "më i errët" sesa ai kishte menduar. Sikurse edhe romanet pasardhëse të Hosseinit, “Gjuetari i balonave” është shumëkohor dhe përqendrohet në marrëdhëniet e prindërve me fëmijët. Zëri