Botohet autobiografia kolektive 'Tetëdhjetë vjet tregime' e Pllanës

Kultura October 23, 2018 - 10:01

Dashamirët e fjalës së shkruar u mblodhën të hënën në ‘Soma Book Station’ në Prishtinë për të marrë pjesë në promovimin e librit “Tetëdhjetë vjet tregime”, që është një autobiografi kolektive e autores Ajten Pllana, e cila në tetëdhjetë vjetorin e lindjes del përpara opinionit tonë me librin e saj të parë që përmban pikërisht tetëdhjetë tregime. Duke rrëfyer në mënyrë kryekëput dokumentare përvojat e veta nga fëmijëria dhe rinia në Shkup dhe rreth dyzet vjetët e veta si mësuese e shkollës fillore ‘Vuk Karaxhiq’, tani ‘Elena Gjika‘ në Prishtinë, ajo befason me dromca jete që sjellin imazhe të tretura nëpër kohë duke rikrijuar pamje e ndjesi mbresëlënëse, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në këtë promovim që u mbajt nën një atmosferë miqësore para të pranishmëve pjesë nga libri lexoi gazetarja Antigona Qena kurse autorja e librit i falënderoi të gjithë që e nderuan me ardhjen e tyre.

Publikimi i shtëpisë botuese “Koha” me tregimet e Ajten Pllanës ndriçon jo vetëm jetën e saj, por edhe atë të bashkëkohësve të saj nëpër breza të ndryshëm, duke rikrijuar realitetin e jetës në rajon. Si autobiografi, këto tregime kanë për thelb kujtimet e vjetra të cilat ngjallin dhe sigurojnë kontekstin historik që mund t’a shijojnë brezat tonë që po rriten duke ecur dritëhijeve të identitetit tonë kolektiv. Zëri