Dy filma kosovarë në Festivalin e Selanikut

Kultura October 22, 2018 - 10:06

Në edicionin e 59-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Selanikut, që do të mbahet nga data 1 deri më 11 nëntor, Kosova përfaqësohet me dy filma. Bëhet fjalë për filmat “Nëntor i ftohtë” të regjisorit Ismet Sijarina dhe “Gardhi” nga regjisorja Lendita Zeqiraj, shkruan sot gazeta "Zëri".

Që të dy filmat do të jenë pjesë e seksionit “Balkan Survey”, i kuruar nga Dimitris Kerkinos. “Balkan Survey” ka mbledhur shembujt më të mirë të prodhimeve filmike nga rajoni i Ballkanit. Regjisorë të mirënjohur dhe ata debutantë trajtojnë një sërë temash sfiduese në thelbin e edicionit të sivjetshëm të 15 filmave të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër. “Balkan Survey” paraqet gjithashtu programin “Before the Wave Breaks” me tetë filma ikonikë të regjisorëve paraardhës të kinemasë së re rumune.

Festivali i Selanikut është njëri ndër festivalet më të vjetra dhe të rëndësishme në Ballkan, ku pjesë e programit të edicioneve të kaluara kanë qenë edhe filmat e tjerë nga Kosova, si “Tri Dritare dhe një Varje”, “Home Sweet Home”, “Si qeni n’rrush” etj. Zëri