Libri i javës - 'Flakërim dashurie', nga Rumi

Kultura October 22, 2018 - 09:58

Redaksia e kulturës në gazetën “Zëri” në bashkëpunim me librarinë “Buzuku” në Prishtinë nis rubrikën “Libri i javës”, përmes së cilës çdo të hënë ju rekomandojmë një titull libri për lexim. Për këtë javë ju propozojmë librin “Flakërim dashurie” nga poeti Xhelal ed-Rumi. Këtë të hënë kemi zgjedhur që në kuadër të rubrikës “Libri i javës” të prezantojmë këtë antologji poezish të botuar së fundi në Prishtinë nga shtëpia botuese “Pema”. Poezitë e librit “Flakërim dashurie” janë përzgjedhur e shqipëruar nga Edin Q. Lohja, kurse libri është redaktuar nga Ornela Ademovi.

Nëse raftin tuaj e pasuroni me librin “Flakërim dashurie” do të keni mundësi të shfletoni disa poezi që botohen për herë të parë në gjuhën shqipe. Poezitë janë kryesisht nga “Divani” e duke qenë së tema e dashurisë mbizotëron tërë krijimtarinë e Rumiut, ajo është dominante edhe në këtë përmbledhje. Kjo përmbledhje përfshin dhjetëra poezi të poetit Rumi, që prekin edhe tema nga metafizika, teologjia, kozmologjia e psikologjia.

Image

Në parathënie të librit përkthyesi Edin Q. Lohja shkruan se Rumi ka gjetur sukses tejembanë, sepse mesazhi i tij i tejkalon kufizimet e gjuhës. Sipas tij, Rumi ka diçka të rëndësishme për të thënë dhe e thotë në një mënyrë që nuk kushtëzohet nga finesat e persishtes ose të kulturës që ajo përcjell. “Çfarë e bën unike shprehjen e këtij mesazhi universal nga Rumi është direktshmëria shtangëse dhe aftësia marramendëse e tij për të përdorur figuracion letrar të nxjerrë nga jeta e përditshme, duke dëftuar mjeshtërisht se pas çdo lloji të mundur përvoje njerëzore ka një derë tek e padukshmja”, shkruan Lohja.

Rikujtojmë se Rumi ka lindur në Vahsh të Krahinës së Balhut (Persi) më 1207. Rumi ka thurur mbi 3200 gazale (poezi dashurie), shumë prej të cilave i ka nënshkruar me emrin e Shemsit, çka shpjegon titullin e përmbledhjes së tij të gazaleve dhe vargjeve të përziera, “Divani i Shems-i Tabrizi”, me 40 mijë dyvargësha të përshkruar nga ndjesia e dehjes shpirtërore prej dashurisë ekstatike. E gjithë krijimtari e Rumit është e destinuar t’i bindë njerëzit se dashuria mund të bëjë mrekulli. Prej poezive të tij janë nxjerrë në gjuhë të ndryshme të botës disa mesazhe që transmetohen si “këshilla për jetën” dhe përcillen si porosi autentike për një jetë më të dashur, të bukur e kuptimplotë. Libri “Flakërim dashurie”, i botuar në shqip nga “Pema”, kushton 9 euro. Zëri