Artan Hajrullahu e Valdrin Thaqi, laureatë të “Muslim Mulliqit”

Kultura October 20, 2018 - 11:38
Lexo tjera detaje
Image

Artan Hajrullahu dhe Valdrin Thaqi janë fituesit e çmimit “Muslim Mulliqi”, i cili është dhënë si zakonisht në hapje të kësaj ekspozite tradicionale. Mbrëmjen e së enjtes në Galerinë Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita “Muslim Mulliqi”, në të cilën po prezantohen 19 artistë, shkruan Gazeta "Zëri".

Juria e këtij edicioni të dymbëdhjetë të çmimit “Muslim Mulliqi”, e përbërë nga Visar Mulliqi, profesor i pikturës në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, Dita Starova-Qerimi, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë, dhe Valentina Bonizzi, artiste vizuale, vendosi që çmimin e parë ta ndajë mes dy artistëve të lartpërmendur.

Kjo juri i vlerësoi punimet e Artan Hajrullahut dhe të Valdrin Thaqit si më të mirat dhe më të vlefshmet për vendin e parë. “Juria mori këtë vendim pasi vizatimet e Artanit shprehin një narracion dhe storie unike, që është një kombinim i një kujtimi personal të artistit me përkushtimin e tij dhe me transformimin e realitetit që na rrethon neve. Në anën tjetër, Valdrin Thaqi me instilacionin e tij metafizik fuqizon shpirtëroren kundrejt marrëdhënies eksperimentale”, u tha në arsyetimin e jurisë.

E iniciuar në vitin 2003 nga Ministria e Kulturës së Kosovës për t’i promovuar artistët vizualë në Kosovë, ekspozita e çmimit “Muslim Mulliqi” është ekspozita më e rëndësishme për artet bashkëkohore vizuale në Kosovë. Kjo është një ekspozitë e kuruar me pjesëmarrës vendorë dhe ndërkombëtarë, e përgatitur nga një ose shumë kuratorë të jashtëm, që përzgjedhin artistët vendorë edhe ata ndërkombëtarë.

Autorja e konceptit dhe përzgjedhësja e artistëve të këtij edicioni është Iara Boubnova, kuratore e artit bashkëkohor dhe kritike arti nga Sofja. Ajo u lind në Moskë të Rusisë, ku edhe diplomoi në Departamentin e Historisë dhe Teorisë së Artit në Universitetin Shtetëror të Rusisë. Që nga viti 1985 Boubnova punon në Galerinë Kombëtare për Art të Huaj në Sofje, si kuratore në Departamentin e Artit të Evropës Lindore. Në vjeshtën e vitit 2013 ministri i Kulturës e emëroi drejtoreshë të Galerisë Kombëtare për Art të Huaj, në Sofje të Bullgarisë. Që nga janari 2015 ajo u bë zëvendësdrejtoreshë e Galerisë Kombëtare, e themeluar së voni dhe është përgjegjëse për koleksionin ndërkombëtar të Galerisë. Që nga viti 1995 Iara Boubnova është drejtoreshë themeluese e Institutit të Artit Bashkëkohor në Sofje.

Tema e edicionit të sivjetmë është: “A janë histori kujtimet tona?”. Në kuadër të kësaj autorja e konceptit të këtij edicioni të “Muslim Mulliqit” shkruan se në botën e sotme çdo gjë ndryshon tërë kohën dhe as e kaluara nuk është statike. “Paul Ricoeur në fillim të ‘Kujtesa, Historia, Harresa’ (2000) shpjegon arsyen e shkrimit të librit: ‘Unë mbetem i brengosur nga spektakli shqetësues se shumë kujtesë lëshon pe këtu dhe shumë harresë lëshon pe atje, duke mos thënë asgjë për ndikimin e përkujtimit dhe të abuzimit të kujtesës dhe të harresës’. Në botën e sotme çdo gjë ndryshon tërë kohën. Duket se as e kaluara nuk është statike. Historia, kujtesa dhe përkujtimi janë objekt studimi i historianëve, antropologëve, sociologëve, filozofëve, historianëve të artit dhe letërsisë, po aq sa janë edhe shënjestër dhe material për manipulim politik. Nuk ekziston vetëm një histori dhe ne po jetojmë në një entropi të historisë, por a mund ta ruajmë energjinë që mblidhet në ‘historitë’ individuale dhe të vetme?”, thekson Iara Boubnova.

Ky projekt mbështetet nga MKRS-ja dhe nga banka “Raiffeisen”, e cila tradicionalisht për shume vite me radhë i del në përkrahje Galerisë Kombëtare dhe bienaleve të saj. Po ashtu projektin e ndihmuan kompania ndërtimore “Bavaria” dhe si sponsorë medialë RTV 21-shi dhe RTK-ja./ZËRI