Noygues, në garë për një çmim përkthimi me librin e Dibrës

Kultura October 19, 2018 - 10:03

Përkthyesja Evelyne Noygues ka hyrë në garë për “Çmimin e përkthimit” në Francë me librin e Ridvan Dibrës, e mbështetur nga Ministria e Kulturës në Shqipëri me fondin e përkthimit nga gjuha shqipe.

Tashmë janë publikuar emrat e shkrimtarëve nga përzgjedhja e dytë për çmimin “Shoqëria e Letrave“. Kjo garë ua kushton një rëndësi të veçantë shkrimtarëve dhe përkthyesve. Në mesin e nominimeve për të fituar “Çmimin e përkthimit” së bashku me librin “Legjenda e vetmisë”, i Ridvan Dibrës, janë edhe librat e shkrimtarëve Banjo Clarkw, Hiro Arikawa, Luis Foronda dhe Amy Hempel, shkruan sot gazeta "Zëri".

Përkthyesja Évelyne Noygues shkoi në Shqipëri në vitin 1988 për studimet e saj dhe banoi atje nga viti 1991 deri në vitin 1994 për të punuar në frëngjisht dhe në shqip. Tani ajo kthehet rregullisht në Shqipëri për projekte letrare dhe artistike.

Marrjen e temës për këtë libër shkrimtari Ridvan Dibra e ka bërë nga një këngë e lashtë e Ballkanit. Prej vdekjes së papritur të babait të tij, i bindur se është një vrasje dhe se ai e di identitetin e vrasësit të tij, Bala i vogël ia kushton kohën e tij fantazisë për hakmarrje. Shkrimtari Ridvan Dibra i jep kësaj teme ngjyra letrare, duke shkruar një tregim të madh. Është një këndvështrimi interesant nga letrat franceze për shkrimtarin shqiptar Dibrën, i klasifikuar si njëri nga pesë shkrimtarët më të mëdhenj që jetojnë me Ismail Kadarenë, Rexhep Qosen, Bashkim Shehun dhe Fatos Kongolin, i lidhur pikërisht për romanin e tij “Legjenda e vetmisë”, që është cilësuar si “Romani më i mirë” në vitin 2012. Kjo vepër vjen si një homazh për epet dhe legjendat e popullit tonë të lëna padrejtësisht jashtë vëmendjes. Autori është i vetëdijshëm se historia e një populli rrjedh nga struktura e tij shpirtërore. Në të gjitha shfaqjet e jetës së kombit ne gjejmë gjithmonë se shpirti i pandryshueshëm i racës e end vetë fatin e saj. Dhe ku më mirë sesa te legjendat dhe epet të gjejmë shpirti tonë, atë fillestarin dhe ndoshta të pandryshueshmin.

Prej vitit 1995, që nis shkrimin me romanin e parë “Nudo”, jeta letrare e Dibrës ka qenë intensive, duke vazhduar me tregimet “Prostituta e virgjër”, “Stina e ujkut” - 2000, romanet “Triumfi i Gjergj Elez Alisë”, “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë” - 2003, “Kanuni i Lekës së vogël” – 2011, “Gjumi mbi borë” – 2016 dhe së fundi “Treni i muzgut” – 2017 etj., duke u bërë njëri nga zërat më modernë në letërsinë shqipe. Zëri