Ekspozita për çmimin 'Aga Khan', në Muzeun e Kosovës

Kultura October 19, 2018 - 10:00

Në hapësirat e Muzeut të Kosovës do të hapet këtë të premte ekspozita e çmimit “Aga Khan” për arkitekturë, cikli 2016. Në këtë ekspozitë do të prezantohen nëntëmbëdhjetë  projektet e përzgjedhjes së ngushtë, në mesin e të cilëve është edhe një projekt nga Kosova. Ekspozita do të prezantojë gjithashtu edhe gjashtë fituesit e çmimit prestigjioz, në mesin e të cilëve janë projektet e “Zaha Hadid Architects”, “BIG – Bjarke Ingels Group” dhe “StandardArchitecture”. Në Muzeun e Kosovës ekspozita hapet më datën 19 tetor, duke filluar nga ora 14:00, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në parathënien e kësaj ekspozite, e shkruar nga kuratori Farrokh Derakhshani, thuhet se çmimi “Aga Khan” për arkitekturë fokusohet në proceset e ndryshimit në pjesë të botës, ku mjedisi i ndërtuar është duke pësuar transformime të shpejta, herë pas here me pasoja të tmerrshme. Derakhshani thekson se gjatë katër dekadave të fundit çmimi ka kërkuar të kuptojë natyrën e këtij ndryshimi dhe tentoi ta ndikojë projektimin dhe ndërtimin me shpresën e krijimit të një cilësie më të mirë të jetës për njerëzit që banojnë në këto mjedise. “Për këtë qëllim ai njeh projekte shembullore dhe ndan mësimet që ofrojnë të gjithë ata që luajnë një rol në këtë përpjekje, arkitektët, planifikuesit, agjencitë qeveritare, klientët dhe mbi të gjitha përdoruesit përfundimtarë të ndërtesave. Secili cikël trevjeçar i çmimit përfshin një kërkim të plotë për zgjidhje novatore dhe arritje pozitive, që nxjerrin në pah kontributin e rëndësishëm që arkitektura mund të bëjë drejt formimit dhe përmirësimit të jetës sonë. Që nga fillimi çmimi ka njoftuar - vetëdijesuar profesionin e arkitekturës dhe publikun e gjerë për një qasje të re të gjerë ndaj asaj që përbën arkitekturën. 15 projektet e përzgjedhura në ciklin e parë 1977-’80 u angazhuan me një gamë të gjerë çështjesh, nga konservimi në përmirësimin e lagjeve të varfra dhe përqafuan dizajnet tradicionale, si dhe ato të reja. Punimet nga talentet në zhvillim sikurse praktikat e mirënjohura arkitektonike u festuan së bashku me klientët dhe ndërtuesit. Së bashku këto projekte folën për pluralitetin e shoqërive në vendet ku myslimanët kanë një prani të konsiderueshme, nga Indonezia në Marok”, thuhet në parathënie.

Sipas tij, kjo qasje pluraliste është ndjekur nga juritë e njëpasnjëshme të pavarura, duke iu përgjigjur shqetësimeve të ndryshme të identifikuara nga një komitet drejtues i radhës për çdo cikël trevjeçar të çmimit. Kryesuesi i Komitetit Drejtues është lartësia e tij Aga Khan, i cili krijoi çmimin në vitin 1977 për të njohur rolin parësor të arkitekturës në përmirësimin e cilësisë së jetës në shoqërinë myslimane, që po ndryshon shumë. “Njëri nga aspektet më urgjente të një ndryshimi të tillë është lëvizja e popujve larg vendeve të tyre. Ndonjëherë i detyruar, nganjëherë vullnetar, ky migrim masiv nga zonat rurale në ato urbane, nga një vend ose kontinent në tjetrin, i ka dhënë shoqërisë tradicionale monokulturore një karakter të ri të formuar nga identitetet shumështresore. Por ajo gjithashtu ka paraqitur sfida. Si e krijoni ndjenjën e kohezionit në një popullatë tjetër? Si i tërhiqni komunitetet e reja në sferën publike, lehtësoni integrimin e tyre me shoqërinë civile? Çmimi ‘Aga Khan’ për arkitekturë ballafaqohet me çështje të tilla, duke shfaqur projekte të shkëlqyera që adresojnë aspiratat e këtyre komuniteteve”, shkruan muratori.

Qëllimi i kësaj ekspozite është shpërndarja e rezultateve të ciklit të 13-të të çmimit, që përfshin periudhën 2014-2016. Midis qindra nominimeve juria e çmimit ka rishikuar 348 projekte nga 69 shtete dhe ka përzgjedhur 19 prej tyre për inspektim të detajuar dhe rishikim të ekspertëve. Nga kjo listë e shkurtër gjashtë projekte u përzgjodhën për të ndarë shpërblimin e çmimit prej 1.000.000 USD. Të gjithë përfituesit e çmimeve dhe projektet në listën e ngushtë propozojnë zgjidhje kreative për disa nga çështjet më të rëndësishme që hasën në arkitekturë sot. Ndonëse në shkallë dhe në qasje të ndryshme, të gjitha projektet janë pjesë e kontekstit të tyre dhe rrisin ndjenjën e përkatësisë në komunitetin e tyre. Ajo që doli në pah nga propozimet e shumta e në veçanti nga 19 projektet e ekspozuara është një ndjenjë se çfarë mund të arrihet kur arkitektët dhe klientët bashkëpunojnë, duke kombinuar forcat e tyre në një përpjekje të ndërgjegjshme për të përmirësuar mjedisin e ndërtuar dhe jetën e njerëzve. Zëri