Një kronikë publicistike nga pikëpamja diplomatike

Kultura October 18, 2018 - 12:12

Shkruan: Ylber Sela

(Një vështrim i shkurtër kushtuar librit “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” të autorit Shaban Murati, botuar në vitin 2018...)

Libri i titulluar “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” që e solli para lexuesit, diplomati, Shaban Murati, në fakt është një përmbledhje e 64 artikujve publicistik, i cili përkon me dhjetëvjetorin e shpalljes të Pavarësisë së Kosovës. Në këtë libër autori në fjalë ka përfshirë një pjesë të veprimtarisë së tij publicistike të publikuara brenda periudhës njëzetvjeçare, duke filluar nga viti 1998 dhe për të përfunduar në vitin 2018, për ti sjellë pikëpamjet e tij mbi zhvillimet dhe momentet më të rëndësishme lidhur me aktivitetin diplomatik të themelimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës.


Fillimisht, duhet nënvizuar faktin, se, boshti tematik i numrit më të madh të artikujve mbështetet në procesin e shkëputjes së Kosovës nga Serbia, procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë, procesin e bisedimeve të Kosovës me Serbinë dhe sjellja dhe qëndrimi i shqiptareve ndaj miqve tradicional dhe aleatëve strategjik, si dhe ndaj institucioneve dhe shteteve tjera të cilat luajnë rol të rëndësishëm në planin të politikave gjeostrategjike ndërkombëtarë. Ashtu që, trajtimit dhe interpretimit të këtyre fushëveprimeve, zoti Murati i qaset nga konteksti diplomatik, politik dhe social.


Duke i hequr “dorezat” e diplomatit të karrierës, zoti, Murati, më shumë shfaqet si një analist kritik, por, edhe pragmatik në lidhje me intensitetin dhe efikasitetin të diplomacisë së shteteve shqiptare, (Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë), në lidhje me konsolidimin e shtetit të Kosovës. Por duhet theksuar edhe faktin se, një karakteristikë e veçantë e tij është se gjërat ai i thotë troç. Duket qartë se autori i lë anash të gjitha kalkulimet të interesit personal në favor të artikulimit të mendimit dhe ndërtimit të strategjive diplomatike për çështjen kombëtare.


Shikuar nga përmbajta dhe metodologjia e ndërtimit të artikujve të këtij libri, del se autori në fjalë shfaqet si njeri me diapazon të gjerë intelektual dhe njohës shumë i mirë i rrethanave diplomatike evropiane dhe botërore. Me anë të kryqëzimit të informatave që kanë të bëjnë me zhvillimet aktuale politike dhe diplomatike me shembuj të ngjashëm nga e kaluara e afërt dhe e largët historike, ky diplomat, jo vetëm që nxjerr gjykime të qarta në lidhje me proceset me të cilat përballen shqiptarët gjatë këtyre dy dekadave të kaluara, por njëherësh ai edhe ndërton edhe pikëpamje tejet të avancuara mbi të drejtën historike kombëtare në krijimin e shtetit të Kosovës. Jo njëherë ai deshifron komplote apo edhe gracka të rafinuara politike dhe diplomatike, të cilat vijnë nga brenda dhe sidomos nga jashtë. Duke i zbërthyer reflektimet e këtyre sajimeve të paramenduara mirë, z. Murati, sugjeron formula të qarta diplomatike.


Artikujt e tij, të cilët në masë të madhe merren me zhvillimet politike brenda shoqërisë mbarë-shqiptare, por, të varura drejtpërdrejtë nga rol dhe qëndrimi i diplomacisë ndërkombëtare, përmbajnë komponentin e aktualitetit. Pra, vetë publikimi i çdo artikulli lidhet me momentin e duhur kohor të veprimeve apo projekteve të caktuar kombëtare, dhe sidomos, ndërkombëtar. Libri në fjalë, përmbajnë vlerësime të ashpra kritike duke u bërë ato njëherësh edhe një korrigjues të politikave shtetërore shqiptare, me theks të veçantë të asaj kosovare. Ai nuk i kursen as edhe disa nga shtetet, institucionet ndërkombëtare por edhe drejtuesit e tyre.


Dhe si përfundim, do të shtoja se, duke u nisur nga vokacioni im studimor, duhet veçuar trajtimin e relacionit të shqiptarëve ndaj faktorit dhe institucioneve ndërkombëtare, si dhe qëndrimi dhe angazhimi i tyre kundrejt konsolidimit të shtetit të Kosovës. Edhe në këtë plan Murati nuk hamendet që të kritikoj inferioritetin dhe animin e institucioneve ndërkombëtare, apo edhe drejtuesit e tyre ndaj politikës serbe. Megjithatë, ai asnjëherë nuk e fsheh dëshirën që Kosova sa më shpejtë të bëhet anëtare e NATO-s dhe e UE-së. Por duke apeluar që ta ruaj autonominë shtetërore dhe tërësinë territoriale të saj. Por para se gjithash, ai si prioritet të prioriteteve e kërkon: Njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia.

Tiranë, 18.10.2018