158 mijë lexues për një vit nëpër bibliotekat e Kosovës

Kultura October 18, 2018 - 09:37

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Kulturës 2017”. Ky publikim ofron të dhëna statistikore lidhur me aktivitetet e teatrove, të shtëpive të kulturës, të galerive, të muzeve, të bibliotekave, të kinemave, të Baletit, të Filarmonisë, të Ansamblit dhe Qendrës Kulturore për Fëmijë. Nga këto të dhëna del se gjatë vitit të kaluar fondi i librave nëpër biblioteka ishte 1 milion e 782 mijë e  945, ndërsa numri i lexuesve ishte 158 mijë e 176, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se numri i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar të Prishtinës ishte 161 shfaqje premierë dhe reprizë, ndërsa numri i shikuesve ishte 15 mijë e 175; numri i shfaqjeve të realizuara në teatrin e fëmijëve “Dodona” ishte 102 shfaqje premierë dhe reprizë, ndërsa numri i shikuesve ishte 5 mijë e 876; numri i shfaqjeve të realizuara në teatrin “Oda” ishte 43 premierë dhe reprizë, ndërsa numri i shikuesve ishte 8 mijë e  243.

Nga ky hulumtim del se numri i ekspozitave të realizuara nëpër galeritë e arteve në Kosovë ishte 38, ndërsa numri i vizitorëve ishte 15 mijë e 872.

Në anën tjetër këto statistika tregojnë se numri i filmave të shfaqur në kinemanë ABC në Prishtinë ishte 72, prej tyre 5 filma vendorë dhe 67 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 10 mijë e 791. Ky hulumtim tregon se në rrjetin e kinemasë austriake “Cineplexx” janë shfaqur më shumë filma sesa në Kinemanë e Vjetër të Qytetit. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në “Cineplexx” u shfaqen 181 filma ndërsa prej tyre 2 filma vendorë ishin vendorë dhe 179 ishin filma të huaj. Gjatë tërë vitit “Cineplexx”-in e kanë vizituar 338 mijë e 963 vizitorë.

Sa i përket shfaqjes së filmave në qytetin e Prizrenit, numri i filmave të shfaqur në kinemanë “Doku Kino” dhe gjatë festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër e dokumentar “DokuFest” ishte 323, prej tyre 27 filma vendorë dhe 296 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 21 mijë e 554.

Numri i muzeve dhe i shtëpive muze që qëndruan të hapura gjatë vitit që lamë pas ishte 72, ndërsa numri i vizitorëve ishte 71 mijë e 335. Zëri