Shkrimtari Mathias Enard nderon Prishtinën

Kultura October 18, 2018 - 09:13
Image

 

Fituesi i çmimit prestigjioz të letërsisë “Goncourt”, francezi Mathias Enard, ka qëndruar për një vizitë dyditore në Prishtinë. Adresa e parë e romancierit e studiuesit Enard në kryeqytetin kosovar ka qenë libraria “Buzuku”, aty ku prej kohësh shiten librat e tij të botuar në shqip. Gjatë të martës Enard u takua me dashamirët e fjalës së shkruar në Aleancën Franceze në Prishtinë, ku diskutoi për letërsinë përgjithësisht dhe për veprat e tij veçanërisht, shkruan sot gazeta "Zëri".

Shkrimtarin francez e ka pritur edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. I pari i Prishtinës ia ka dorëzuar të mërkurën “Çelësin e Qytetit” shkrimtarit Enard. Kreu i Prishtinës u shpreh se është nder që një shkrimtar si Enard po qëndron në Kosovë. Ahmeti tha se si Komunë janë duke u munduar që të ruajnë librin në kohën kur teknologjia është duke u zhvilluar çdo ditë e më shumë.

“Nder i madh që t’ju kemi në Prishtinë. Është një luftë e vazhdueshme e cila po bëhet për ta mbajtur librin aty ku e ka vendin. Në botën e teknologjisë leximi i shpejtë po mundohet ta zëvendësojë librin. Megjithatë librin nuk mund ta zëvendësojë askush dhe gjithmonë po e bëjmë këtë betejë edhe në sheshet tona duke ua mundësuar librashitësve të shesin libra”, u shpreh Ahmeti. Ai e falënderoi shkrimtarin Enard që me vizitën e ti po e vendos Prishtinën në hartën e letërsisë. “Kur më kanë treguar që ju po vini në Prishtinë isha shumë i lumtur që një shkrimtar i kalibrit tuaj vjen e na viziton. Ne kemi diskutuar për promovimin që i bëhet Prishtinës në një nga novelat tuaja. Sot dëshirojmë t’ju falënderojmë edhe që keni ardhur, edhe që e vendosni Prishtinën në hartë e letërsisë”, tha Ahmeti.

Në anën tjetër edhe shkrimtari Mathias Enard tha se ka kohë që ka dëshiruar të vizitojë Prishtinën. “Ka kohë të gjatë që kam pasur dëshirë ta vizitoj Prishtinën”,  tha Enard.

Abdullah Zeneli, nga shtëpia botuese “Buzuku”, tha se shpreson që shkrimtari francez të fitojë çmimin “Nobel për Letërsi” e pse jo këtë ta arrijë me një libër që flet për Prishtinën.

“Uroj që shumë shpejt ta marrë edhe çmimin ‘Nobel’. Nëse do të jetë shkak një libër për Prishtinën do të ishte kënaqësia më e madhe”, tha Zeneli.

Image

Gjatë të mërkurës Enard mbajti edhe një ligjëratë me titull “Meqenëse ata janë qenie njerëzore” në Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë Frënge në universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ndërkaq më vonë gjatë ditës ai mbajti takim të hapur me nxënësit e shkollave të mesme në amfiteatrin e bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani”.

Mathias Enard ka lindur në vitin 1972, në Niort të Francës dhe është romancier tashmë i njohur botërisht, specialist i gjuhëve dhe i kulturave orientale. Ai ka studiuar persishten dhe arabishten, duke qëndruar një kohë të gjatë në Lindjen e Mesme. Jeton në Barcelonë dhe ligjëron arabishten në qytetin e Barcelonës dhe të Berlinit. Deri më tani është vlerësuar me çmime prestigjioze dhe veprat e tij janë të përkthyera në shumë gjuhë.

Veprat e tij, të cilat janë botuar edhe në shqip janë: “Busulla”, “Zona”, “Përsosmëria e Qitjes”, “Tregoju për betejat, mbretërit dhe elefantët”, “Rruga e vjedhësve”. Vlen të theksohet se në romanin e tij “Tregoju për betejat, mbretërit dhe elefantët” ka për personazh kryesor një shqiptar, Mesihin nga Prishtina.

Para se të vinte në Prishtinë shkrimtari Enard qëndroi në Shkup, më datën 15 tetor. Në anën tjetër nga kryeqyteti i Kosovës ai u nis për në Shqipëri. Këtë të enjte (18 tetor) ai do të qëndrojë në Tiranë. Këto takime me lexuesit shqiptarë vijnë si rezultat i bashkëpunimit rajonal në mes të ambasadave, të Francës në Prishtinë, të asaj në Tiranë dhe të asaj në Shkup. Zëri