Promovohen gjashtë librat e Drita Ruhanit

Kultura October 13, 2018 - 10:24

Shkrimtarja Drita Ruhani ka promovuar gjatë ditës së premte në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë gjashtë tituj librash, shkruan "Zëri". 

Bëhet fjalë për librat “Dëshirat e qenushes Koko”, “Posta pa adresë”, “Shkolla e qenve”, “Dua shtëpi” e “Mjaft më” dhe për librin e saj të fundit “Dr. Buzëqeshja”.

Në këtë promovim njohës e dashamirë të letërsisë e vlerësuan lart krijimtarinë letrare të shkrimtares Ruhani. U çmua iniciativa e saj për t’i bërë personazhe të librave ekskluzivisht kafshët e duke u lidhur përmes tyre me botën e magjishme të fëmijëve.

Kafshët në këto tregime të shpërndara në këto libra veprojnë bujarisht, ato nuk janë të mira pse do të shkruhet e do t’u bëhet reklamë e popullaritet, por pse janë të tilla, solidare e të kujdesshme me veten dhe me të tjerët.

U tha se këto libra përmes imagjinatës së autores e strukturës rrëfimore, e cila bëhet përmes perspektivës së vetë kafshëve, bëjnë instalimin e një vetëdijeje dhe shpalosin një raport të natyrshëm të njeriut me qentë si pjesë të natyrës. /ZERI