Teatri i Gjilanit thërret për projekte të 'Skenës Alternative'

Kultura October 12, 2018 - 11:22

Teatri i Qytetit të Gjilanit, në vazhdën e hartimit dhe zhvillimit të politikave të tij kulturore, për herë të parë ka krijuar programin “Skena Alternative”, i cili ka për qëllim zhvillimin dhe krijimin e ideve origjinale, kreative e inovative, të cilat në formën e një laboratori krijues ndihmojnë në prodhimin dhe në identifikimin e artistëve të rinj dhe të ideve të tyre, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ky program aplikohet për herë të parë sivjet në Teatrin e Gjilanit dhe është i hapur për të gjithë artistët krijues të fushave të ndryshme të artit dhe jodomosdoshmërisht të fushës së teatrit, të cilët jetojnë e veprojnë në qytetin e Gjilanit. Teatri i Qytetit të Gjilanit fton të gjithë artistët e lirë të Gjilanit të aplikojnë me idetë e tyre në programin “Skena Alternative”. Aplikimi është i hapur nga 11 deri më 29 tetor.

Propozimet duhet të prezantohen në formën e një koncepti deri në tri faqe dhe duhet të përmbajnë informatat bazike për idenë, projektin, autorët, ekipin e shfaqjes, konceptin artistik dhe CV-në e udhëheqësit të projektit.

Teatri i Qytetit të Gjilanit do të përzgjedhë katër koncepte për t’u realizuar si shfaqje në skenën alternative të këtij institucioni. Shfaqjet e realizuara në kuadër të kësaj skene do të jenë pjesë e repertorit të rregullt të këtij institucioni për vitin 2018-2019. Planifikimi financiar realizohet në bashkëpunim me menaxhmentin e Teatrit të Gjilanit.

Konceptet duhet të dërgohen nëpërmes postës elektronike në adresën e drejtorit të Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, që është: [email protected], me subjektin: Koncept për programin “Skena alternative 2018”. Zëri