Objekti i ish-'Gërmisë' futet në mesin e monumenteve të mbrojtura, pamundësohet rrënimi

Kultura October 11, 2018 - 09:55

Ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka nënshkruar të mërkurën vendimin për aprovimin e Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme me 1595 objekte, të cilat do t’i nënshtrohen masave dhe regjimit mbrojtës sipas Ligjit për Trashëgiminë Kulturore. Në këtë listë është edhe objekti i ish-qendrës tregtare “Gërmia”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ky vendim është marrë derisa Komuna e Prishtinës e shihte si opsion rrënimin e këtij objekti dhe ndërtimin aty të sallës koncertale, të cilën artistët insistojnë ta kenë tash e disa vjet. Përveç objektit të ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” në këtë listë janë futur Selia e Shtabit të Brigadës 121 Komandant Kumanova, Kompleksi Memorial Mujë Krasniqi, Shtëpia Muze e Fadil Vatës, Shtëpia e Kulturës në Runik, shtëpia e lindjes e Adem Demaçit dhe disa objekte të tjera.

“Dua të falënderoj të gjitha palët e angazhuara, në çfarëdo forme, në debatin dhe në procedurat tjera të aprovimit të listës, si zërat e opinionit publik, ekspertët e jashtëm, personat fizikë të përfshirë në cilësi të ndryshme, institucionet lokale dhe institucionet, profesionistët dhe komisionet nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit për përmbylljen me sukses të këtij procesi”, ka thënë mes tjerash ministri Gashi pas nënshkrimit të listës.

Rikujtojmë se aktualisht po zhvillohej një debat për rrënimin ose jo të objektit të ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” dhe për ndërtimin aty të një salle evropiane, projekt ky i Komunës së Prishtinës, i financuar nga Komisioni Evropian, që ka shfaqur interesim për të investuar 15.4 milionë euro me kushtin që salla të jetë në një lokacion qendror.

Në arsyetimin e tij se aty është vendi ideal për një sallë koncertale dhe se objekti i ish-“Gërmisë” mund të rrënohet, i pari i Prishtinës Shpend Ahmeti para pak ditësh përmendi faktin se Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore nuk e ka përfshirë “Gërminë” në regjistrin e objekteve të mbrojtura.

Kundër rrënimit të këtij objekti pati nisur të nënshkruhej edhe një peticion, i iniciuar nga organizata për mbrojtjen, promovimin dhe konservimin e lëvizjes moderne “DoCoMoMo Kosova”. Kjo organizatë ka iniciuar një peticion online, përmes të cilit kërkon që ky objekt të mos demolohet për t’u ndërtuar një i ri. Zëri