Sot varroset dirigjenti Bahri Çela

Kultura October 10, 2018 - 11:01

Trupi i pajetë i dirigjentit Bahri Çela ka arritur të martën nga Londra në Prishtinë. Për ta kujtuar jetën dhe veprën e tij të mërkurën (10 tetor), në orën 15:00, në amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare (Instituti i Historisë), në Prishtinë, do të mbahet mbledhje komemorative, ndërsa në orën 17:00 do të bëhet varrimi i tij në varrezat e kryeqytetit. Bëhet e ditur po ashtu se familja e Bahri Çelës do të pranojë ngushëllime më 11 e 12 tetor, nga ora 8:00-17:00, në ambientet e hotelit “Sirius” (hyrja anësore), shkruan sot gazeta "Zëri".

Rikujtojmë se Bahri Çela vdiq në Londër në mëngjesin e 30 shtatorit, pas vuajti për disa muaj një sëmundje të pashërueshme të organeve të frymëmarrjes. Çela u lind më 1941. Pas mbarimit të shkollës fillore e të mesme të muzikës në Prizren, studioi në Akademinë e Muzikës, Dega e Dirigjimit, në Beograd, ndërsa specializoi në Konservatorin e Shën Petersburgut në Rusi. Pas studimeve u punësua në Radio Prishtinë si producent i muzikës serioze dhe asaj për fëmijë. Një kohë punoi si pedagog – udhëheqës i korit në Shkollën e Mesme të Muzikës në Prishtinë.

Nga viti 1978 zgjidhet ligjërues në Fakultetin e Arteve, Dega e Muzikës, për lëndët dirigjim dhe orkestër. Çela ishte njëri ndër iniciatorët e themelimit të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës në vitin 1975. Me këtë orkestër dirigjoi një kohë duke realizuar koncerte të rregullta me vepra të autorëve shqiptarë dhe botërorë.

Me suprimimin e institucioneve legjitime kosovare nga ana e regjimit serb, në kushte jashtëzakonisht të vështira të viteve të ’90-ta, së bashku me studentët dhe pjesërisht me ish-anëtarët e Korit Profesional dhe atyre të Orkestrës Simfonike të RTP-së, B. Çela përgatiti koncerte të ndryshme, që u mbajtën në kishën katolike “Shën Ndou”, në Prishtinë.

Njëri nga koncertet iu kushtua edhe nobelistes shqiptare – Nënës Terezë. Pas luftës në Kosovë ai punoi me vetiniciativë në riaktivizimin (rithemelimin) e orkestrës, por kësaj radhe asaj të Filarmonisë së Kosovës si institucion i pavarur profesional muzikor. Vitet e fundit të jetës i kaloi në Londër (Britani e Madhe), ku u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare.

Me vdekjen e tij Kosova humbi njërin nga veteranët e edukimit muzikor, profesorin shumëvjeçar të Fakultetit të Arteve, punëtorin e rrallë dhe të pakursyer dhe njërin ndër iniciuesit kyç të themelimit të institucioneve muzikore në Kosovë. Zëri