Vlorat e Kosovës nderojnë qytetin prej nga e kanë marrë emrin

Kultura October 10, 2018 - 10:33
Image

Aulona, Vlona e Vlora janë tre emrat me të cilët siç dihet historikisht është njohur qyteti i pavarësisë së shqiptarëve në periudha të ndryshme. Kosova ndonëse mbeti jashtë hartës së shtetit shqiptar, i cili u shpall më 28 nëntor të vitit 1912 në Vlorë, ka rritur ndër breza shumë vajza që quhen Vlora. Statistikat thonë se në Kosovë jetojnë rreth 6.000 Vlora të moshave e të rajoneve të ndryshme. Ambasada e Shqipërisë në Kosovë ka vendosur që 28 vajza, emri i të cilave identifikohet me qytetin e Vlorës, t’i bëjë bashkë dhe t’i dërgojë në një udhëtim treditor në qytetin shqiptar, prej nga e ka origjinën emri i tyre, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kështu njëzetë e gjashtë Vlora, një Aulonë dhe një Vlona, të shoqëruara nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, qëndruan fundjavën që lamë pas në Vlorë. Gjatë vizitës atje Vlorat nga Kosova vizituan Muzeun e Pavarësisë në Vlorë, Kalanë e Kaninës dhe plazhin e Dhërmisë. Ato u priten me nderime edhe nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli. Ky i fundit u shpreh i nderuar të mirëpresë kaq shumë vajza, të cilat bartin emrin e qytetit që ai drejton. “Unë u jam pafundësisht mirënjohës për prezencën tuaj këtu dhe për ditët që do t’i kaloni në Vlorë. Jam i bindur se nga ky moment dhe në vazhdimësi Vlora do të ketë, përveç emrit të madh që ju bartni, edhe ambasadore të turizmit për Vlorën. Jam i bindur se aty ku do të ktheheni te familjet, miqtë e kolegët tuaj, ju do të tregoni çfarë patë, çfarë dëgjuat dhe përshtypjet tuaja për këtë qytet të mrekullueshëm, qytetin e flamurit”, theksoi kryebashkiaku Leli.

Image

Më e madhe në moshë në mesin e Vlorave nga Kosova që vizituan këtë qytet ishte politikania e njohur kosovare Vlora Dumoshi. Gjatë qëndrimit atje Dumoshi u shpreh se secila vajzë që bart emrin Vlorë ka një histori prapa vetes. “Secila prej nesh e kemi nga një tregim për emrin të cilin e kemi, për krenarinë me të cilën e mbajmë këtë emër. Unë jam Vlora, e lindur më 28 nëntor, në një kohë shumë të rëndë të viteve 1966. Po atë ditë u burgosën të gjithë meshkujt e shtëpisë sonë sepse e vendosën nga gëzimi flamurin në shtëpi. Ky vit është vit i shënuar, është viti i Skënderbeut, por gjithashtu është 50-vjetori i demonstratave të vitit 1968, në të cilat u protestua për flamur e për Universitet.

Të gjitha Vlorat këtu e sjellim tregimin tonë. Unë jam Vlora e babait Ismailit dhe nënës Shqipes. E kam një motër Albionë, një vëlla Kushtrim dhe një vëlla tjetër Valon. Të gjitha që jemi këtu e kemi historinë tonë dhe lidhjen familjare e shoqërore me emrin tonë”, u shpreh Dumoshi.

Në anën tjetër, më e vogla mes vajzave ishte Vlona Veseli, vogëlushja rreth gjashtëmuajshe, së cilës ia kishte vënë emrin nëna e saj Arjeta Berisha-Veseli.

“Isha duke kërkuar një emër shqip për vajzën, një emër me kuptim. Rastësisht e kam parë pullën e parë postare të Shqipërisë, e cila ishte e kohës kur qyteti i Vlorës e ka pasur emrin Vlona. Më ka tingëlluar shumë mirë si emër, Vlona. Duke e ditur se është edhe emër shqiptar kam vendosur ta quaj vajzën Vlona”, tregoi Arjeta, duke thëne se ndonëse ende është e vogël Vlonës duket se po i pëlqen qyteti prej nga e ka marrë emrin.

Image

Për të gjitha Vlorat nga Kosova ky ishte një udhëtim, të cilin e përjetuan ndryshe. Ani pse shumica prej tyre kishin qenë në Vlorë edhe më herët, kësaj radhe ato patën rastin të njihen më detajisht me historinë e qytetit, por edhe të krijojnë miqësi me vajza të tjera, me të cilat e ndajnë të njëjtin emër. E tillë kjo eksperiencë ishte edhe për Vlora Ymeragën, nga Gjakova. “Ndihem e privilegjuar që kam ardhur në vizitë në Vlorë. Nuk është hera e parë që vij, por në këtë mënyrë është më e veçantë. Unë krenohem me emrin që e mbaj. E falënderoj kryetarin e Bashkisë së Vlorës për mikpritjen. Ta mbash emrin Vlora është një ndjenjë e veçantë. Babai im ka qenë një atdhetar i flaktë i Shqipërisë”, tregoi Vlora Ymeraga për “Zërin”.

Image

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi, nën udhëheqjen e të cilit u realizua kjo vizitë, u shpreh i kënaqur që sivjet festimet e 28 Nëntorit u hapen me një aktivitet të tillë. “Është interesante se ka një sensibilizim të veçantë të qytetarëve të Vlorës. Këtu në shesh janë grumbulluar shumë njerëz për t’u takuar. Ky është aktiviteti i parë që zhvillohet në kuadër të festës së 28 Nëntorit. Janë 28 Vlorat që hapin siparin e këtij aktiviteti të rëndësishëm kombëtar. Është një ndjesi e veçantë për secilin prej tyre që identifikojnë emrin e tyre me qytetin dhe ma do mendja që kanë emocione të veçanta për emrin që kanë sot kur ndodhen në Vlorë”, u shpreh Minxhozi.

Ai tutje u zotua se ashtu siç i bën bashkë Sarandat për t’i dërguar në Sarandë ose Vlorat në Vlorë, do të mundohen që organizime të tilla të bëjnë edhe për ata që quhen Berat, Shkodran e të tjerët me radhë. Zëri