Baleti i Kosovës prezanton premierën e tretë sivjet

Kultura October 04, 2018 - 10:43
Image

 

Ndonëse tash e disa muaj janë në kolaps financiar dhe me xhirollogari të ngrira, Baleti Kombëtar i Kosovës nuk e ka ndalur punën. "Le Corsaire", një nga shfaqjet më të njohura në botën e vallëzimit, vjen premierë nga kjo trupë këtë të enjte nën përkujdesjen e koreografit Israel Rodriguez. Koreografi Rodriguez ka punuar intensivisht për një muaj me Trupën Kombëtare të Baletit të Kosovës për ta sjellë në skenë një version modern të kësaj shfaqjeje, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në konferencën për medie, që i parapriu premierës së shfaqjes, drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës Ahmet Brahimaj u shpreh i kënaqur që brenda 10 muajsh kanë arritur t’i vënë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës tri premiera.

“Ne sot dalim para jush me premierën e tretë të baletit, baletin ‘Le Corsaire’. Ky balet është një ndër baletet më të mëdha në botë. Unë jam shumë i kënaqur që sjellim këtë premierë para jush. E dini që me koreografin Israel Rodriguez kemi bashkëpunuar edhe tri herë të tjera, kjo është hera e katërt. Duke u bazuar në ato tri shfaqjet e para që i ka përgatitur ky ka lenë përshtypje të mirë në Trupën e Baletit, si dhe ka kualitet në paraqitje”, theksoi Brahimaj.

Drejtori Brahimaj foli edhe për vështirësitë financiare dhe për kushtet e punës me të cilat po përballet ky institucion. Ai tha se pavarësisht problemeve me MKRS-në, ata si Trupë Kombëtare e Baletit kanë qenë të vendosur t’i përfundojnë marrëveshjet ndërkombëtare, siç ishte ky bashkëpunim me koreografin Israel Rodriguez. “Ju e dini që mundësitë tona janë shumë të limituara. Kushtet në të cilat i mbajmë provat dhe buxhetin që e kemi..., kështu që koreografi ka rrezikuar ta përgatisë një vepër kaq të madhe në kushte të vështira. Duke marrë parasysh rrethanat, mund të them se shfaqja ka dalë atraktive dhe me nivel të lartë artistik. Pa marrë parasysh se ana financiare nuk po na përcjell siç duhet, ne nuk mund të presim shtetin tonë të reagojë për shkak se ne e kemi planifikuar këtë shfaqje që nga viti i kaluar. E kemi ditur se premiera do të jetë më 4 tetor dhe ne qëndrojmë prapa planeve tona kohore. Ne kemi sakrifikuar deri në maksimum për t’i përfunduar projektet”.

 

Trupa Kombëtare e Baletit të Kosovës më 7 tetor do të udhëtojë drejt Finlandës ku do të prezantohet me shfaqjen e koreografit Pëllumb Agaliu. Menaxhmenti i Trupës së Baletit zotohet se edhe atje do të japin një shfaqje të dinjitetshme, pavarësisht faktit se po udhëtojnë pa mëditje.

Në anën tjetër, për eksperiencën e tij të katërt në Kosovë koreografi Israel Rodriguez tha se është i impresionuar për vullnetin me të cilin këta balerinë po punojnë, pavarësisht rrethanave. “Kur erdha këtë herë dhe e pashë problemin financiar me të cilin po përballet ky komunitet fillova ta imagjinoj sa vështirë duhet të jetë për artistët dhe për drejtorin që provojnë t’i dalin në krye kësaj pune. Është e mrekullueshme sa shumë valltarët dhe drejtori Ahmet më kanë përkrahur mua. Rezultatin e kësaj pune do ta shihni nesër. Unë jam shumë krenar për secilin prej tyre që po punojnë kaq shumë”, theksoi Rodriguez.

Duke folur për shfaqjen "Le Corsaire", Rodriguez tha se kjo është në shfaqje e madhe, prandaj realizohet me vështirësi edhe në teatrot e mëdha. “Normalisht ka tri akte dhe zgjat 2 orë e gjysmë, por unë i kam reduktuar aktet në 55 minuta. Unë nuk po dua ta prezantojë para jush versionin klasik të kësaj shfaqjeje, por një version modern”, tregoi ai.

Të kënaqur me bashkëpunimin me koreografin Rodriguez u shprehën edhe balerinët e Trupës Kombëtare të Baletit. Si asistent i koreografit i ka ndihmuar balerini Kreshnik Musolli, kurse me rolet kryesore në këtë shfaqje paraqiten Teuta Krasniqi dhe Sinan Kajtazi. Zëri