Tre veta fitues të çmimit Nobel në kimi

Kultura October 03, 2018 - 16:09
Lexoni lajmet e fundit nga bota!

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave, tha se tre shkencëtarë, Frances Arnold, George Smith and Gregory Winter, janë fitues të çmimit Nobel në kimi për vitin 2018, për hulumtime që mundësojnë prodhimin e enzimave dhe antitrupave për kimikate dhe prodhime farmaceutike të reja.

Frances Arnold, gruaja e pestë që fiton çmimin në këtë fushë, shpërblehet me gjysmën e çmimit prej 9 milionë koronash suedeze, afërsisht një milion dollarë amerikan, ndërsa gjysmën tjetër e ndajnë amerikani Smith dhe britaniku Winter.

"Fituesit e këtij viti në kimi, janë frymëzuar nga fuqia e evolucionit dhe kanë përdorur të njëjtat parime - ndryshimin gjenetik dhe përzgjedhjen - për të zhvilluar proteina që zgjidhin problemet kimike të njerëzimit", thuhet në një deklaratë të Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave.

Zonja Arnold është gruaja e dytë që fiton çmimin Nobel sivjet, pas kanadezes Donna Strickland, e cila dje u shpall një nga fituesit e këtij çmimi në fizikë.

Përdorimi i enzimave, i zhvilluar prej saj, përfshinë prodhimin më miqësor ndaj mjedisit të substancave kimike, siç janë prodhimet farmaceutike dhe prodhimin e karburanteve të ripërtërishme për fushën e transporteve.

George Smith zhvilloi një metodë të përdorimit të një virusi që infekton bakteret për të prodhuar proteina të reja, ndërkohë që Gregory Winter përdori të njëjtën metodë për evolucionin e drejtuar të antitrupave për prodhime të reja farmaceutike.

Çmimi në kimi është i treti që ndahet sivjet pas shpalljes së fituesve në fushën e mjekësisë dhe të fizikës më herët gjatë javës.

Çmimi mori emrin nga zbuluesi i dinamitit, Alfred Nobel, që ishte edhe themelues i tij dhe është ndarë që nga vitit 1901 për arritjet në shkencë, letërsi dhe paqe, sipas amanetit të tij

Të premten pritet të shpallet çmimi për paqen, ndërsa të hënën ai për ekonominë./VOA