Në kujtim të Jusuf Gërvallës në 73-vjetorin e lindjes

Kultura October 02, 2018 - 10:40

Data 1 tetor shënon ditëlindjen e veprimtarit e artistit Jusuf Gërvalla, kontributi i të cilit vlerësohet lart në historinë e re të Kosovës. Kinemaja e qytetit të Pejës prej kohësh e mban emrin e tij, ndërsa tash e dy vjet vatra ku u rritën vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla në Dubovik të Deçanit ka hapur dyert si muze, shkruan sot gazeta "Zëri".

Gërvalla u lind më 1 tetor të vitit 1945 në fshatin Dubovik, afër Deçanit. Ai bashkë me të vëllain Bardhoshin dhe shokun e tyre Kadri Zekën vdiqën në mënyrë tragjike më 17 janar të vitit 1982 në një atentat në Untergruppenbach, afër Heilbronnit të Gjermanisë.

Jusuf Gërvalla si intelektual i dalluar dhe atdhetar i devotshëm që ishte mbeti besnik i paluhatshëm i çështjes kombëtare deri në ditën fatkeqe të vdekjes së tij tragjike. Ai edhe pse i ri në moshë brenda një kohe të shkurtër kishte arritur të bëhej jo vetëm poet, muzikant, gazetar, përkthyes e këngëtar, por edhe një aktivist i dalluar politik shqiptar, i cili për herë të parë kishte arritur bashkimin me sukses të veprimtarëve shqiptarë në Kosovë dhe në diasporë.

Në letërsi Gërvalla nuk i takonte qarkut të “lapidaristëve” të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore. Për poetin, prozatorin dhe dramaturgun Gërvalla është thënë e shkruar relativisht pak. Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembullor që ia bëri Gërvallës më 1992-ën Sabri Hamiti (Jusuf Gërvalla: Vepra letrare “Ora”, Prishtinë, 1992). Në letërsi ai nuk i takonte qarkut të “lapidaristëve” të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.

Zëri i tij poetik ishte zë më vete, mjaft origjinal, personal dhe individual. Poezia e tij na flet drejtpërsëdrejti, ngrohtë, butë, thellësisht njerëzor e me një sensibilitet të stërholluar. Në dy përmbledhjet e tij të para “Fluturojnë e bien” (1975) dhe “Kanjushë e verdhë” (1978), poezia e tij merrej kryesisht me vatrën e poetit tek janë mjaft kuptimplotë titujt e cikleve “Shtëpia në kornizë” dhe “Skena nga jeta e fshatit”.

Poezia e tij e përmallshme e këndon dashurinë, e kujton dhimbshëm vendlindjen dhe na e rrëfen porosinë e saj qendrore, kërkimin e poetit për “pak frymë njeriu e pak dritë qiriri”. Me kohë, duke u bërë gjithnjë e më shumë refleksiv, poeti kaloi gjithnjë e më shumë te një qark më i gjerë tematik dhe te të folurit poetik me bukuri e begati të rrallë metaforike e figurative. Zëri