Sopi i kërkon ministrit Gashi shkarkimin e Këshillit të Teatrit

Kultura October 02, 2018 - 10:33
Image

I kthyer në krye të Teatrit Kombëtar të Kosovës, pasi që Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka konstatuar se Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës e kishte shkarkuar pa bazë ligjore, Agim Sopi në një konferencë për medie ka deklaruar se ky Këshill Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk është kredibil dhe ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Gashi, duhet ta shkarkojë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sipas Sopit, “oligarkët politikë” nuk po duan ta kuptojnë se censura nuk mund të riinstalohet në një shtet demokratik. Drejtori aludon në ndalimin që ky Këshill i bëri veprës së Veton Surroit për t’u vënë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. “Për dy vjet sa unë kam qenë në krye të këtij institucioni kemi realizuar një pjesë të projektit, me të cilin kam ardhur në këtë institucion. Kemi realizuar më shumë se 200 repriza e 10 premiera gjatë vitit. Gjatë një viti kemi arritur të kemi rreth 30.000 shikues gjatë vitit, të prezantohemi në festivale ndërkombëtare dhe të fitojmë 5-6 çmime nga këto festivale”, tha Sopi, duke theksuar se suksese të tilla teatri nuk ka pasur asnjëherë më herët. Sipas tij, pas shkarkimit të tij në mars gjërat morën teposhtën në këtë institucion. “Kur unë e kam lënë këtë teatër, një vit përpara, në periudhën janar-qershor raporti numëron 11.000 shikues në gjashtëmujorin e parë, 13.645 euro të inkasuara nga biletat dhe 107 repriza të realizuara. Në tremujorin e parë të vitit 2018, pavarësisht se kemi trashëguar dy premiera nga viti i kaluar për shkaqe objektive, ne kemi arritur të realizojmë 2730 dhe mbi 50 repriza. Nga periudha kur unë jam dëbuar nga Teatri, në periudhën mars-shtator, numri i biletave të shitura ka qenë 597, kurse janë falur 1020 bileta”, deklaroi Sopi. Ai akuzoi Këshillin Drejtues të këtij institucioni edhe për kryerjen e disa veprimeve të paligjshme. “Në vendim ku aprovohet reportori i vitit 2018 shihet se është aprovuar shfaqja ‘Kopshti i Vishnjave’ nga Ilir Bokshi, ‘Karnavalet e Korçës’ nga Spiro Çomora, ‘Kaligula’ nga Albert Cammus, ‘Destur’ nga Musa Ramadani dhe ‘Skënderbeu ose dashuria dhe lulja’ dhe në skenën e vogël ‘Ana dhe Zefi, ‘Halmeti im’ dhe ‘Si ta vrasim presidentin’. Në këtë reportor janë hequr kundërligjshëm dhe me paramendim politik dy tekstet më të mira të autorëve shqiptarë. Teksti i Veton Surroit ‘Shfaqja e fundit e Marie Gjonit’ dhe “Shembja e kullës së Ajfellit’ të Jeton Nezirajt. Këto tekste janë zëvendësuar me tekste të huaja, që kanë një nivel artistik që lë për të dëshiruar”, tha Sopi, duke aluduar që kjo ka ndikuar në rënien e shikueshmërisë në Teatrit Kombëtar. Më tutje ai deklaroi se ky Këshill ka shkelur ligjin, duke pasur në radhët e veta anëtarë që nuk janë kredibilë dhe shkaktojnë konflikt interesi. “Siç e dini, me kërkesën e Agjencisë Antikurropsion Burbuqe Berisha është dorëhequr nga Këshilli Drejtues i Teatrit sepse ka pasur konflikt interesi, duke qenë prodekane në Universitetin AAB, drejtoreshë e teatrit ‘Faruk Begolli’, si dhe kryetare e Këshillit Drejtues në Teatrin Kombëtar. Nuk është vetëm Burbuqe Berisha që ka pasur konflikt interesi. Në konflikt interesi shumë më të thellë se Burbuqe Berisha kanë qenë edhe Valon Kashtanjeva, i cili vazhdon të jetë anëtar i Bordit dhe është drejtor i Departamentit për të Drejtën e Autorit në MKRS. Është edhe Shkëlqim Milaku me konflikt të drejtpërdrejtë të interesit si anëtar i Këshillit të TKK-së dhe dekan i Universitetit të Prizrenit. Edhe vendimet e Agjencisë Antikorrupsion janë selektive, sepse kanë zgjedhur vetëm Burbuqe Berishën, e cila realisht është më së paku në konflikt interesi në këtë rast”, theksoi Sopi. Sipas tij, përveç Fisnik Ademit, që ka shkollim universitar për art, asnjë anëtar tjetër i këtij këshilli nuk është i profilizuar për teatër. Sopi ka paralajmëruar se do t’i kërkojë ministrit të Kulturës, Rinisë e Sportit Kujtim Gashit ta shkarkojë këtë Këshill Drejtues, i cili, siç u shpreh ai, punon me direktivat e Partisë Demokratike të Kosovës. Sopi u zotua se nëse ministri Gashi nuk do të reflektojë për kërkesën e tij, atëherë ai do të ngrejë një padi. “Do t’i padis me arsyetimin se ky Këshill përbën një konflikt interesi dhe se nuk janë kredibilë për ato pozita. Miqtë dhe aleatët ndërkombëtarë bëjnë apele të vazhdueshme që bordet e institucioneve të jenë me njerëz të pavarur, që të spastrohen nga influencat politike dhe kjo duhet të ndodhë”, theksoi Sopi.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, Samir Hoxha, këshilltar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit, ka mohuar se ky Këshill është nën ndikimin e Partisë Demokratike të Kosovës. “Jo vetëm Këshilli Drejtues i Teatrit, por të gjithë këshillat e institucioneve të kulturës janë të përbërë nga emra me kredibilitet. Ministri Kujtim Gashi i ka emëruar ata në përputhje me mandatin e tij dhe shkarkimi i Këshillit nuk mund të vijë si kërkesë e drejtorit të Teatrit, sepse është në kompetencën e plotë të ministrit. Këshilli është autoriteti që bën zgjedhjen dhe shkarkimin e drejtorit dhe jo e kundërta”, theksoi Hoxha.

Sa i përket ankesës së Sopit që anëtarët e Këshillit të Teatrit nuk janë nga fusha e artit, Hoxha tha se kjo nuk përbën problem, pasi që ata janë të dëshmuar në fusha të tjera. Pozitën e Valon Kashtanjevës në këtë Këshill, që është edhe drejtor i Departamentit për të Drejtën e Autorit në MKRS, Hoxha e arsyetoi me faktin që është praktikë që në këshillat drejtues të jetë edhe një përfaqësues i Ministrisë së Kulturës. “Ne mendojmë që ky është një Këshill i menduar mirë me njerëz kompetentë për punën që e bëjnë. Asnjë person nuk mundet të ndikojë në vendimmarrjen e ministrit Gashi dhe në përpjekjen e tij që institucionet e kulturës të kenë autonominë e vet. I bëj thirrje drejtorit të Teatrit që të merret me punën e tij dhe të mos bëjë etiketime të emrave të përveçëm”, tha ndër të tjera Hoxha.

Rikujtojmë se drejtori Agim Sopi ishte shkarkuar më 27 mars të këtij viti nga Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Asokohe Sopi pati deklaruar për gazetën “Zëri” se shkarkimin e tij e sheh si një ndërhyrje politike. Sopi, që sapo kishte nisur vitin e tretë të mandatit të tij, tha se po ndërhyhet politikisht në institucionet e kulturës dhe në bordet e tyre. Zëri