Prishtina shënon Ditën e Librit të Ndaluar

Kultura September 25, 2018 - 09:55

Të hënën në Prishtinë është shënuar Dita e Librit të Ndaluar. Organizata “Etea”, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, ka organizuar disa aktivitete për Ditën e Librit të Ndaluar, me temën “Librat digjen, (por) idetë jo” si përgjigje ndaj censurës, me theks të veçantë te censurimi i librave që ka ndodhur në letërsinë shqipe gjatë periudhave të ndryshme, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kjo ishte hera e parë që Prishtina i bashkohet nismës “Java e Librit të Ndaluar”, e cila në fund të muajit shtator shënohet në qytete të ndryshme perëndimore. Kjo ditë shënohet me qëllimin që të ngrihet vetëdija mbi lirinë e të shprehurit dhe përkujtimin për librat e ndaluar dhe për artistët e intelektualët e dënuar sidomos gjatë kohës së diktaturave totalitare.

Në sheshin “Zahir Pajaziti” për publikun u shfaq një performancë artistike me karakter satirik, e përgatitur nga skenaristi Florent Kurtalani dhe nga regjisori Kushtrim Mehmeti.

Agon Ahmeti, drejtor në “Etea”, foli për rëndësinë e shënimit të “Ditës së Librit të Ndaluar” që është iniciuar që në vitin 1882 dhe përmendi disa nga shkrimtarët që janë persekutuar si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë dhe disa libra të djegur kohët e fundit. “Jemi shoqëri që kemi kaluar në shumë sisteme ku shumë autorë e gazetarë janë persekutuar si Petro Marko, Mitrush Kuteli, Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Isuf Gërvalla etj. Kemi pasur edhe raste ku janë djegur librat publikisht, si libri i Veton Surroit dhe ai i Blendi Fevziut”, kujtoi Ahmeti. Sipas tij, shënimi i kësaj dite do të vazhdohet edhe viteve të ardhshme.

“Dita e Librit të Ndaluar synohet të shndërrohet në ngjarje tradicionale përmes së cilës do të trajtohen tema të shumta që në një ose në tjetrën mënyrë atakojnë me censurën ndaj mendimit të lirë”, tha ai.

I pyetur se cili është mesazhi për institucionet ose për vetë qytetarët rreth këtij aktiviteti, ai ka thënë se sot ka më shumë autocensurë sesa censurë.

“Sot ka më shumë autocensurë që vjen nga frika ndaj shoqërisë ose e grupeve të ndryshme politike”, u shpreh Ahmeti.

Në anën tjetër regjisori Kushtrim Mehmeti tha se me anë të kësaj performance kanë synuar që të rikujtojnë të kaluarën kur autocensura e atëhershme mund të kthehet në një censurë. “Performanca është e bazuar në të kaluarën. Autocensura e atëhershme mund të kthehet në një censurë. Është rikujtim i komunizmit. Kemi dashur të shprehim diçka për ta përkujtuar të kaluarën. Është më shumë diçka si rikujtuese”, theksoi Mehmeti.

Përveç kësaj, gjatë ditës së hënë në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës u mbajt një diskutim i hapur me shkrimtarin dhe me publicistin Veton Surroi, autor i librit “Këmbët e gjarprit”, për të cilin libër në vitin 2014 u organizuan aksione ku u dogjën kopjet e tij publikisht në Skenderaj dhe në Ferizaj. Aty Surroi foli para të pranishmëve për eksperiencën e tij, si dhe përgjithësisht për ndalimin e librave.

Aktivitetet e Ditës së Librit të Ndaluar u përmbyllën në mbrëmje në ambientet e Parkut të Qytetit me shfaqjen e filmit “Fahrenheit 451”, në orën 19:00, e cila u realizua në bashkëpunim me iniciativën “Film n’Park”.

Në të gjitha vendet e botës ku organizohet “Java e Librit të Ndaluar” konsiderohet si festë për të drejtën dhe për lirinë e të lexuarit dhe përkrahet nga një koalicion organizatash të dedikuara për shprehjen e lirë, duke përfshirë: Shoqatën Amerikane të Librave, Shoqatën e Bibliotekave Amerikane; Shoqërinë Amerikane e të Gazetarëve dhe të Autorëve e të tjera. Që nga viti 1982 kur ka nisur të organizohet, kjo javë synon t’i inkurajojë lexuesit t’i lexojnë edhe ato vepra që shihen si sfiduese dhe promovon lirinë intelektuale. Zëri