Del në qarkullim pulla 'Trashëgimia - Lokaliteti antik i Dresnikut'

Kultura September 21, 2018 - 10:00

Që nga dita e enjte Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim të rregullt postar emisionin e pullave postare me titull “Trashëgimia - Lokaliteti antik i Dresnikut”.

Ky emision përmes dy pullave postare dhe bllokut filatelik prezanton segmentet e mozaikut, pjesë e një qyteti të madh të vendbanimit dardan, që më vonë pushtohet nga Roma. Ekspertët kanë konstatuar nëntë ngjyra në mozaik me figura dhe me motive të ndryshme. Mozaiku është i rrethuar me kornizë në formë zemre.

Dresniku është njëri prej lokaliteteve arkeologjike më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Prandaj me plot të drejtë mund të themi se Dresniku mund të jetë destinacioni më i preferuar për turizëm, adhurues të arteve historike.

Duke u bazuar në deklaratat e arkeologëve, baza e qytetit është ndërtuar para Erës së Re, ndërsa gjatë pushtimit romak merr trajtat e urbanizimit dhe të arkitekturës romake. Themelet e bazilikës së zbuluar tregojnë që qyteti ishte i shtrirë në të paktën dhjetëra hektarë tokë, duke përfshirë hapësirat e rrugëve, të banesave dhe të objekteve publike. Veçanti e objekteve kishtare është se bazilikat janë të kthyera kah veriu.