Reprizohet për herë të parë 'Arturo Ui' e Bekim Lumit

Kultura September 20, 2018 - 10:37
Image

Mbrëmjen e sotme në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet repriza e parë e shfaqjes “Arturo Ui”, e punuar nga regjisori Bekim Lumi, i cili vdiq më 30 korrik të këtij viti, pas një lufte me sëmundjen e kancerit. Shfaqjen “Arturo Ui” regjisori e realizoi si testament artistik dhe arriti ta finalizojë për ta prezantuar premierë në muajin qershor, ani pse shëndeti s’i premtoi ta shihte edhe vetë këtë premierë pasi që atë mbrëmje u detyrua të shtrihet prapë në spital. Realizimin e kësaj shfaqjeje në 20-vjetorin e krijimtarisë së tij artistike në paraqitjen e tij të fundit para gazetarëve Lumi e konsideroi si plotësim të një ëndrre të kamotshme, shkruan sot gazeta "Zëri".

Këtë të enjte, në orën 20:00 do të mbahet repriza e parë e kësaj shfaqjeje që është pjesë e programit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Në të njëjtin termin “Arturo Ui” do të reprizohet edhe të premten. Këtë shfaqje Lumi ua kishte dedikuar gjithë atyre që e ndihmuan në këtë rrugëtim të vështirë shëndetësor.

“Këtë shfaqje ua përkushtoj miqve të mi artistë, miqve të tjerë të njohur e të panjohur dhe krejt atyre që, me mbështetjen dhe me përpjekjet e tyre më ndihmuan e më dhanë më shumë guxim e besim, se unë, përkundër gjendjes së vështirë shëndetësore, jam në gjendje të vazhdoj të punoj e të luftoj dhe ta bëj këtë shfaqje. Unë i besoj teatrit! Ju faleminderit!”, ishte shprehur ai.

“Arturo Ui” u shkrua në vitin 1941 nga dramaturgu dhe nga regjisori i shquar gjerman e botëror Bertolt Brecht (1898 –1956) gjatë kohës së mërgimit të tij trejavësh në Helsinki (Finlandë). Ai, asokohe, përndiqej nga fashizmi dhe po e priste vizën për shpërngulje në SHBA. Edhe pse ngjarjet e kësaj drame janë të përqendruara në Çikago dhe në Cicero të SHBA-së, ato në të vërtetë janë një aludim metaforik për ndodhitë dramatike të asaj kohe në Austri dhe në Gjermani. Si e tillë me formën, me përmbajtjen, me frymën dhe me vetat e saj, kjo dramë në mënyrë simbolike përshkruan, tematizon dhe pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet ’30-a të shekullit 20. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, trysnitë, tagri dhe kërcënimet ndaj tregtarëve, politikanëve e gazetarëve deri edhe vrasjet e tyre, alibitë dhe gjyqet farsë, detyrimet e dhunshme dhe shantazhet ndaj dëshmitarëve të krimit janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame. Zëri