Senad Jamini ligjëron në 'Termokiss' për kitaristët e rinj

Kultura September 20, 2018 - 10:29
Image

Këtë të enjte të gjithë ata që duan të mësojnë më tepër për instrumentin e kitarës e kanë shansin ta bëjnë këtë duke marrë pjesë në ligjëratën hyrëse që “Termokiss” e organizon në kuadër të punëtorive muzikore me kitaristin Senad Jamini, shkruan sot gazeta "Zëri".

Siç kanë njoftuar organizatorët, kjo ligjëratë është e hapur për të gjithë adhuruesit e shkencës së muzikës, të cilët mund të mblidhen sot në ambientet e qendrës kulturore “Termokiss” në Prishtinë me fillim nga ora 18:30. Jamini do ta shqyrtojë me të pranishmit temën e moduseve të kitarës, që është e nevojshme për të gjitha nivelet e kitaristëve. Moduset janë forma të ndryshme të shkallëve muzikore të bashkangjitura me karaktere të veçanta melodike. Bashkë me pjesëmarrësit ai do të kalojë nëpër shtatë moduse muzikore, ku përfshihen format, karakteret muzikore dhe veçantitë e tyre. Fillimisht do të bisedohet për teorinë bazike muzikore të kitarës me zhvillim e deri te moduset, duke i përfshirë notat, akordet, arppegiot dhe ndërtimin e tyre në temën që po e shtjellojmë.

Për gazetën “Zëri” kitaristi Jamini ka treguar se ka vendosur që në këtë ligjëratë të parë të shtjellojë pikërisht këtë temë, sepse përmban shumë informata që duhet t’i dijë secili kitarist. “Të etjen në ‘Termokiss’, në kuadër të punëtorive muzikore që po zhvillohen qe një kohë e caktuar, do të tentoj të shtjelloj temën mbi hyrjen në teorinë muzikore, më saktësisht moduset moderne, shkallët muzikore të cilat i ndihmojnë konkretisht kitaristit që të krijojë veprat e tij më me lehtësi. E kam zgjedhur këtë temë delikate ta quaj për arsye se në shikim të parë mund të duket e komplikuar, por në vete sjell shumë informata të nevojshme për një muzikant. Llojet e moduseve, akordet dhe arpeggio, të cilat mund të përdoren, disa shembuj të njohur të këngëve pop, identifikimi i moduseve të cilat i kanë përdorur ose krijuesit e tyre do të jenë disa nga pikat kryesore të këtij takimi. Ligjërata është e hapur për të gjithë artdashësit, të cilët dëshirojnë të zbukurojnë bagazhet e tyre të dijes mbi artin ose shkencën e muzikës”, ka theksuar ai.

Sipas muzikantit Senad Jamini, është shumë e rëndësishme që të krijohen bashkëpunime të tilla midis komunitetit muzikor në Kosovë edhe artistëve të rinj. “Aktivitetet e tilla janë të rëndësishme, pasi që krijojnë urat e bashkimit ndërmjet komunitetit muzikor, si dhe janë frytdhënës në kuadër të zhvillimit të muzikanteve të rinj të Kosovës”, shprehet Senadi.

 

Senad Jamini interesimin e tij në muzikë, përkatësisht në kitarë, e shfaqi qysh prej moshës 12-vjeçare. Ai është aktiv në skenën vendore, si dhe jashtë vendit me anë të bendeve, projekteve konceptuale/vizuale që nga viti 2007. Ai ka performuar dhe ka bashkëpunuar me artistë, si: “Madgod”, “Jericho”, “Fucktura”, “Nr-Mono”, “Me t’njofshëm”, “Sytë” etj.

Jamini ka performuar në festivale si: “Rock për rock” (2009-2010) - Prishtinë, (fitues i edicionit 2009) “Freedom Fest” (2009) – Prishtinë; “Türkçe Vizyon” (2009) – Denizli, Turqi, “MusicFest” (2009) – Prishtinë, “Jam për lopën” (2010) – Prishtinë, “Dojdi Veslaj” (2010) – Strugë, Maqedoni, “Top Fest” 7 (2010) – Tiranë, “Rock për bashkim” (2010) – Prishtinë, “Ngom Fest” (2010) – Prizren, “Festivali yt – FYT” (2012) – Prishtinë.

Rekord ballkanik për perfomancen më të gjatë të pandërprerë - “13 orë, 32 min.” (2012), Projekti “Shoshë” (2012) – Paris, Francë, “Beer Fest” (2012) – Prishtinë.

Ka mbajtur performancë artistike në “Mediterranea 16 Young Artists Biennial” (2013) - Ankona, Itali dhe ka marrë pjesë në projektin “Strange things happening in the neighbourhood” (2013) – Prishtinë. Në “Rockfest” (2015) – Tiranë e së fundi në “Sunny hill Festival” (2018) në Prishtinë.

Senadi interesimin e tij e kultivon në gjetjen dhe në ndërlidhjen e paraleleve harmonike emocionale në mes të mediumeve të muzikës dhe arkitekturës, duke krijuar në këtë mënyrë një qasje studioze multidisiplinare e personale. Zëri