Ndahet çmimi tradicional letrar 'Dr. Ibrahim Rugova'

Kultura September 17, 2018 - 10:11

 

 

Image

Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Istogu, Haki Rugova, e në bashkëpunim më klubin letrar “Podguri” në Istog, për të katërtin vit me radhë është organizuar ceremonia e ndarjes së çmimit tashmë tradicional letrar “Dr. Ibrahim Rugova”, çmim i cili nderon punën dhe veprimtarinë e shquar të presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Në ceremoninë e ndarjes së çmimit, përveç kryetarit Haki Rugova dhe bashkëpunëtorëve të tij merrnin pjesë edhe përfaqësues të klubit letrar “Podguri”, krijues dhe shkrimtarë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare. Kryetari i Istogut, Haki Rugova, tha se ky është një manifestim që çdo vit është duke dëshmuar kualitet, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Ju falënderoj secilin që keni ardhur nga larg, ne si Komunë po bëjmë çdo gjë të mundshme për të mbështetur këtë aktivitet në bazë të të gjitha mundësive që kemi, duke bërë që ky aktivitet të jetë tashmë tradicional. Çdoherë po e shoh një pjesëmarrje masive dhe për këtë falënderim të veçantë kemi për klubin letrat ‘Podguri’”, u shpreh kryetari Rugova.

Ndërkaq kryetari i klubit letrar “Podguri”, Sadik Bicaj, falënderoi gjithashtu të gjithë ata që merrnin pjesë në manifestim dhe që kishin ardhur nga të gjitha trojet shqiptare.  Bicaj njoftoi se poezitë dhe krijimet që janë lexuar për katër vjet me radhë do të botohen në mënyrë që vitin e ardhëm të shënohet pesëvjetori i manifestimit me rezultat të veçantë.

Në fund të manifestimit letrar u nda çmimi mbarëkombëtar “Dr. Ibrahim Rugova”, i cili i takoi Kaltrinë Ukës, çmimin e dytë e fitoi Daniela Dante dhe çmimin e tretë e fitoi Labinot Berisha. Zëri